Skuadra “Shqiponjat”, histori suksesi për policinë

31/12/2015 00:00

Ata janë të pranishëm kudo që ka ngjarje në kryeqytet, janë të parët në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike. Bëhet fjalë për forcën e posaçme operacionale “Shqiponja” në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

“Këto forca mbahen si etalon i shërbimeve të rendit. Janë një imazh pozitiv dhe kanë mbi 1000 kapje në flagrancë”, thotë zv/drejtori

“Shqiponjat” mund të cilësohen një histori suksesi për policinë e shtetit, falë edhe kritereve që janë aplikuar gjate rekrutimeve në këtë repart: “Janë marrë punonjësit më të dalluar të komisariateve dhe kemi shumë kërkesa për të qenë punonjës të Shqiponjave”.

Në Tiranë një person merret peng. “Shqiponjat” hidhen në veprim. Ata bëjnë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar për ngjarjen e rëndë.

Një tjetër operacion i suksesshëm i Policisë së Tiranës gjatë vitit 2015, ku kontributin më të madh e ka njësia “Shqiponja”, ishte edhe ndërhyrja në lokalet dhe klabet e natës ku konsumohej hapur lëndë narkotike.

Shqiponjat operojnë ne kryeqytet 24 orë në 24. Puna e tyre është e ndarë në 3 turne, duke qenë gjithnjë në gadishmëri për çdo eventualitet të mundshëm.

Patrullimi dhe mbajtja nën kontroll e njollave të zeza, siç mund të cilësohen zonat problematike dhe me risk në kryeqytet, mbetet në fokusin e punës së përditshme të njësisë “Shqiponja”.

Kanë qenë efektivët e këtij reparti që kanë arrestuar elementë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të skeduar për vepra të rënda penale. Mes tyre janë vënë në pranga edhe persona të cilët lëviznin në kryeqytet me armë pa leje, ndërsa në sallën operative të policisë, organizimi i punës së kësaj njësie kordinohet nga një efektiv i posacshëm.

Përveç kamerave trupore, çdo automjet i patrullave “Shqiponja” është i pajisur me kamera edhe në pjesën e përparme dhe atë të pasme. Këto materiale që shkarkohen dhe ruhen pas përfundimit të turnit nga çdo patrullë, i shërbejnë analizave të detajuara që i kushtohen zbatimit të procedurave standarte dhe etikës policore.

Gjatë vitit 2016 repartit “Shqiponja” do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë për mbështetjen e  mëtejshme logjistike si dhe do të shikohet mundësia e shtimit të strukturës së këtij reparti model, rezultatet e të cilit i kanë shërbyer ndjeshëm rritjes së sigurisë publike në metropolin e Shqipërisë.

Top Channel