Festa e ndërrimit të viteve në Tiranë

01/01/2016 00:00

Tirana ka festuar me një spektakël fishekzjarresh ardhjen e vitit të ri 2016. Një koncert me këngëtarët më të mirë të muzikës moderne shqiptare si Eugent Bushpepaj, Marsela Çibukaj, Kamela Islamaj ka mbledhur në sheshin Nënë Tereza që në orën 22:30, qytetarë, të rinj e të reja që i kanë dhënë së bashku lamtumirën vitit të vjetër.

Në shesh me ta ishte edhe kryebashkiaku Erjon Veliaj, i cili bëri dhe numërimin mbrapsht të sekondave të fundit të 2015-s.

Temperaturat nën zero nuk penguan të rinjtë që, siç është traditë tashmë, pas festimeve në ambientet familjare të mbushnin rrugët e kryeqytetit për të festuar së bashku ndërrimin e viteve, në klubet dhe baret e shumta.

Dhe siç është traditë në çdo fillim viti trokasim aty ku lind jeta, për të mësuar se kush është bebja e parë e vitit. Ajo lindi në 00:05, me lindje cezariane, 3.5 kg, 50 cm e gjatë, quhet Ambla Shahu dhe është fëmija i parë i 25-vjeçares Iselva Shahu. Nënë e bijë gëzojnë shëndet të plotë.

Top Channel