Kosovë, festimet kaluan të qeta; incidentet sporadike

01/01/2016 00:00

Festa e Vitit të Ri në Kosovë ka kaluar pa incidente të mëdha, me qindra qytetarë të Prishtinës që vendosën që vitin e ri ta prisnin në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku komuna kishte organizuar edhe një koncert.

Në momentin e ndërrimit të viteve në shesh, së bashku me qytetarët ishte edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. Ai numëroi dhjetë sekondat e fundit të vitit 2015, ndërsa ftoi qytetarët të festonin me të dashurit e tyre.

“Njerëzve më të afërt që keni urojini Vitin e Ri. Unë kam dalë me vajzën time sonte. Kujdesuni sa më shumë për njerëzit e afërm dhe le të shpresojmë për më shumë ndryshime në vitin 2016. Urime edhe njëherë të gjithëve. Të dua Prishtinë”, u shpreh Ahmeti.

Gjatë festës ka pasur megjithatë disa raste kur të rinjtë nga pakujdesia janë lënduar me mjete piroteknike dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Në 40 minuta festime, në Prishtinë janë lënduar 15 persona, në mesin e të cilëve edhe një 2-vjeçar, i cili është lënduar nga një plumb qorr teksa po festonte në shesh me prindërit e tij, por që sipas mjekëve kujdestar është jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Kosovës ka vlerësuar se festa e vitit të ri ka kaluar me më pak incidente dhe në mënyrë më të qetë krahasuar me vitin e kaluar.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se deri në ora 1 pas mesnate nga të gjitha rajonet policore janë raportuar shumë pak incidente.

Pas përfundimit të festës, viti i ri ka filluar qetë ku rrugët e Prishtinës kanë filluar të pastrohen dhe qyteti ka nisur t’i kthehet normalitetit.

Top Channel