Grekët, pesimistë për vitin 2016: Të jemi mirë, por nuk presim gjë

01/01/2016 00:00

Me shpresën se 2016 do të jetë një vit më i mirë se ai që lanë pas, mijëra grekë në kryeqytet kanë pritur natën e ndërrimit të viteve duke shijuar ceremoninë e zhvilluar nga Bashkia e Athinës, me ndriçimin e fishkezjarreve mbi shkëmbin e shenjtë të Akropolit.

Përveç banorëve, edhe qindra turistë kanë sfiduar temperaturat e ulëta dhe kanë dëgjuar më pas koncertin e zhvilluar me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të njohur grekë.

Ashtu si edhe në sondazhin e fundit para një jave, përsëri athinasit kanë deklaruar se janë pesimistë për ato çka do sjellë 2016-a.

“Unë shpresoj të jetë më i mirë. Së paku le të jetë me më pak dhimbje”, tha një banor. “Nuk shpresoj në asgjë, kështu që mund të kem ndonjë surprizë”, tha një tjetër.

Greqia ka më shumë se 6 vjet që po lufton për të dalë nga kriza e borxhit duke marrë deri tani tre paketa financiare nga BE, BQE dhe FMN në këmbim të shkurtimeve të shpenzimeve dhe reformave radikale, përfshirë rritjen e taksave, pushimet nga puna në sektorin publik, reduktimin e pagave dhe pensioneve, si dhe shkurtime në përfitimet nga shërbimet sociale e shëndetësore.

“Unë uroj momente të bukura për të gjithë njerëzit, por sidomos për ata që këto ditë nuk kanë se ku të flenë dhe i shohim sot që janë këtu rrotull nesh. Uroj gjithë të mirat, të gjitha të mirat dhe shëndet për të gjithë”, u shpreh banori i radhës.

Por, megjithë masat e dhimbshme, mijëra biznese janë mbyllur duke hedhur në rrugë mijëra grekë dhe papunësia në vend, megjithëse ka shënuar pak rënie, mbetet më e larta në BE, në 24.6%, më shumë se dyfishi i mesatares së vendeve të Eurozonës.

Top Channel