Maqedonia la pas vitin e aferave, protestave dhe “vulës së Kumanovës”

01/01/2016 00:00

Të 25 vitet që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë bartin në vetëvete vulën e ndonjë ngjarjeje që ka treguar brishtësinë e këtij vendi, si dhe rrotullimin e pafundmë të tij rreth boshtit të pamundësisë që të konsolidohet si shtet me projekt të qartë për të ardhmen.

Në krahasim me vitet e tjera, viti që lamë pas ishte dukshëm më i begatë për nga aferat dhe ngjarjet që e tronditën vendin, të cilat thuajse e barazuan 2015-n me vitin e konfliktit 2001.

Viti 2015 filloi me protestat e nxënësve të shkollave të mesme, që pastaj vijuan nga një protestë në tjetrën, deri tek afera e bisedave të përgjuara telefonike, pjesë të të cilave publikoi kryetari i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Edhe pse thuajse nuk kishte javë që të mos ndodhte diçka “e madhe” për fatin e vendit, për nga dramaciteti, 2015-a e Maqedonisë do të bartë vulën e 9 majit, shenjën e luftës njënatëshe në Kumanovë, mes forcave policore maqedonase dhe grupit të shqiptarëve të armatosur.

Ngjarjet e Kumanovës qartësuan edhe më shumë të vërtetën se në Maqedoni vitet shkojnë e vijnë, por të gjithë ata i ndërlidh pamundësia për të përcaktuar se ku qëndron kufiri i ngjarjeve me regji të strukturave të shtetit, e ku ato që i lëviz dora e padukshme e qendrave që i duan të keqen këtij vendi.

Nëse mbeti e paqartë se në regji të kujt u zhvilluan ngjarjet e Kumanovës, ato qartësuan se edhe në 2015, shqiptarët e Maqedonisë kishin po të njëjtin rol si dhe në vitet e mëparshme: rolin tragjik, rolin që në masë të madhe ua përcakton edhe e vërteta se përfaqësuesit e tyre në pushtet ishin dhe mbeten figurantë të cilët sunduesve maqedonas iu mbulojnë edhe veprimet antishqiptare.

Viti 2015 që kaloi Maqedonia dhe banorët e saj do ketë shenjë dalluese protestat, aferat dhe luftën në Kumanovë, që të gjitha së bashku shpalosin të vërtetën se, nëpërmjet projektit “Shkupi 2014”, mbase ky shtet ia doli të ndërtojë të kaluarën e vetë të arnuar, por jo të projektojë rrugën e vetë drejt së ardhmes.

Top Channel