Testimi i administratës; 16.000 punonjës, pas festave në provim 

01/01/2016 00:00

Pas pushimeve të Vitit të Ri të gjithë punonjësit e administratës publike që kanë statusin e nëpunësit civil do t’i nënshtrohen testimit, pas vendimit të pak ditëve më parë të Këshillit të Ministrave.

Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu thotë për Top Channel se testimi synon përditësimin e njohurive dhe për të mësuar nëse ata e meritojnë vendin e punës që mbajnë.

“Qëllimi i vendimit të Këshillit të Ministrave është pikërisht vlerësimi dhe përditësimi i njohurive shtesë të nënpunësve civilë të administratës publike qendrore dhe të institucioneve të pavarura. Vendimi ka për qëllim pikërisht parashikimin e kushteve për mënyrën se si do të organizohet vlerësimi periodik i aftësive dhe i njohurive të siguruara nga punonjësit dhe procedurat e trajnimit të mëtejshëm për të zhvilluar aftësitë shtesë të tyre. Të gjithë punonjësit e administratës publike, për të dhënë shërbime cilësore ndaj qytetarëve duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi sa i takon aftësive të tyre shtesë. Për të kryer punën dhe detyrën, punonjësi duhet të jetë në korrent me zhvillimet e përditshme”, thotë Koçiu.

Por cila do të jetë metodologjia dhe përbërja e komisionit të testimit?

“Do kemi një test me shkrim dhe një test me gojë. Lista e punonjësve që do t’i nënshtrohen këtyre vlerësimeve do të hartohet nga DAP me institucionet përgjegjëse deri në fillim të muajit maj të çdo viti. Përbërja është sipas formatit që ne jemi mësuar të hasim. Të gjithë ata që kanë aplikuar pranë DAP janë mësuar me këtë përbërje. Kemi një përfaqësues të DAP, një të shkollës së Administratës Publike, një të trupës së nivelit të lartë drejtues dhe dy ekspertë të fushës, sipas disiplinave përkatëse që do të zhvillohet testimi”, sqaron Koçiu.

Top Channel