Lufta në Irak, ushtarët britanikë hetohen për krime lufte

02/01/2016 00:00

Ushtarë britanikë, që kanë marrë pjesë në luftën e Irakut, mund të përballen me akuzat për krime lufte.

Kreu i njësisë përgjegjëse për hetimin e abuzimeve të pretenduara, Mark Warwick pohon se ka një numër të madh rastesh që meritojnë vëmendje, e për të cilat do të ketë diskutime nëse e kanë kapërcyer apo jo pragun, që do t’i kategorizonte si krime lufte.

Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se i ka marrë me shumë seriozitet të tilla akuza. Dy hetime publike kanë marrë në shqyrtim deri më tani pretendimet për abuzime nga ana e trupave britanike në Irak.

Ish-detektivi i policisë, Warwick thotë se, verifikimi i kujdesshëm i rasteve të paraqitura organizmit që drejton do të zgjasë nga 12 deri në 18 muaj, kohë përgjatë së cilës do të shikohen me kujdes të gjithë elementët për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, e për të verifikuar besueshmërinë e akuzave.

Diskutohet për 1515 viktima të mundshme, 280 nga të cilat thuhet të jenë vrarë në mënyrë të paligjshme.

Top Channel