Arabia Saudite ekzekuton 47 të dënuar për terrorizëm; mes tyre sheiku al-Nimr

02/01/2016 00:00

Arabia Saudite ka ekzekutuar njërin prej klerikëve më të rëndësishëm shiitë në vend, sheikun Nimr al-Nimr.

Lajmin e pohoi vet Ministria e Brendshme saudite, që thotë se al-Nimr ishte në mesin e 47 personave të dënuar me vdekje për terrorizëm.

Sheiku ka qenë një prej mbështetësve më të fuqishëm të protestave antiqeveritare, që shpërthyen në 2011-n në lindje të vendit, ku shumica shiite ankohet prej kohësh për margjinalizim.

Arrestimi i tij, vitin e kaluar, u pasua nga ditë të tëra trazirash të dhunshme. Dënimi me vdekje i klerikut u konfirmua përfundimisht tetorin e 2014-s. Familjarët thonë se, argumentet e dhëna në vendimin e gjykatës ishin: pretendimet e tij për ndërhyrje nga jashtë në vend, mosbindje ndaj sunduesve, rrokje e armëve kundër forcave të sigurisë.

Irani me shumicë shiite, që është njëkohësisht armiku më i madh rajonal i Arabisë Saudite, deklaroi se Rijadi do ta paguajë shtrenjtë ekzekutimin e sheikut Nimr.

Top Channel