Europa, qendra e turizmit për vitin 2016

02/01/2016 00:00

Statistikat e publikuara çdo vit nga Organizata Botërore e Turizmit, e Kombeve të Bashkuara, tregojnë se është Europa, kontinenti më i vizituar në botë.

Ngjarje interesante të parashikuara për 2016-n ka plot, por në këshillat për eventet që mund të ndjekë një turist këtë vit, theksi vihet te një përvjetor i veçantë: gjermanët kremtojnë miratimin 500 vite më parë në Bavari të rregullores për prodhimin e birrës.

Në vitin 1516 u vendos, që birra duhet të përmbajë vetëm elb, bimën kacavjerrëse “humulus lupulus” dhe ujë. Më vonë u shtua dhe majaja. Kjo konsiderohet si rregullorja më e vjetër ushqimore, që është ende e vlefshme në botë.

Viti jubilar, sipas mediave gjermane, nis me një ceremoni qendrore më 22 prill në Ingolstadt, ku ligji në fjalë mori “dritën jeshile”, e mbyllet në fund të korrikut me festivalin treditor të birrës në Mynih.

Ky vit shënon nga ana tjetër edhe 400-vjetorin e vdekjes së William Shakespearit. Në Britaninë e Madhe do të ketë mjaft shfaqje në teatro, kinema, si dhe koncerte e opera në nder te dramaturgut, poetit e shkrimtarit më të madh britanik.

Në vendlindjen e Shakespearit dhe shtëpinë ku ai ka banuar, në Stratford-upon-Avon, çelet në janar një ekspozitë e re e përhershme, që paraqet mjedisin shoqëror, familjen dhe miqtë, fqinjët, shokët e kolegët e punës.

“Kryeqytetet” kulturore të Europës për 2016-n konsiderohen Vroklavë në Poloni dhe San Sebastian në Spanjë. Gjatë gjithë vitit, aty do të ofrohen koncerte si në Forumin e sapondërtuar Kombëtar të Muzikës, edhe në rrugë, në stacione ose në spitale, ndërsa kalendari kulturor në Vroklavë përfshin edhe dhënien e Çmimeve të Filmit Europian, më 10 dhjetor.

Top Channel