16 vite në kontejnerë, Komuna e Prishtinës u siguron pagesën e qirasë

02/01/2016 00:00

Pak kilometra nga qendra e kryeqytetit të Kosovës është “fusha e pajtimit”, ku mes mbeturinash, për 16 vite me radhë jetuan dhjetëra familje, në kontejnerë e me kushte minimale për jetesë.

Të gjithë të mandatuarit komunalë, që qeverisën kryeqytetin kosovar që pas luftës, kishin ndër premtimet kryesore elektorale, akomodimin e këtyre familjeve dhe zgjidhjen e përhershme të problemit të banimit për ta.

Pak metra larg këtyre kontejnerëve janë banesat e ndërtuara nga qeverisja e kaluar, për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, por edhe për raste të tilla sociale.

Por, banorët e këtyre kontejnerëve pretendojnë se janë bërë parregullsi në ndarjen e banesave, pavarësisht se – sipas tyre, – shteti u kishte premtuar se këto familje do të trajtoheshin me prioritet.

“Ministria na solli këtu dhe, kur më dorëzuan çelësat, më treguan vendimin dhe thanë se këtu do të ndërtoheshin banesa”, tha Feriz Ramadani, banor në “fushën e pajtimit”.

Feriz Ramadani, 83 vjeç, i cili jeton vetëm me bashkëshorten e sëmurë nga kanceri, është vetëm një nga dhjetëra banorë të “fushës së pajtimit”, i cili ndihet i lënë mënjanë nga shteti, ku ai kontribuoi gjatë të gjithë jetës.

“Për 6 muaj nuk kemi pasur as energji, as ujë, asgjë. Këtu, neve na kanë bërë të dukemi sikur të vinim nga një tjetër shtet, ashtu na kanë trajtuar. Ne nuk kemi qenë kundër këtij shteti, kam punuar 38 vite këtu. Nuk e di, shpresoj në emër të Zotit, që Shpendi të na gjëjë ndonjë zgjidhje, ashtu sikurse ka premtuar”, tha Feriz Ramadani.

Por nata e ndërrimit të viteve, pas shumë vitesh pritjeje, i gjeti këta banorë të akomoduar në banesa private të siguara nga Komuna e Prishtinës, e cila u siguroi pagesën e qirasë për 6 muaj. Më 31 dhjetor 2015, këto familje u shpërngulën përfundimisht nga vendi, që ata vet e kanë emëruar “fusha e mjerimit”.

Drejtori për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia sqaroi se, përveç 6-mujorit të parë të sigurimit të pagesës prej 150 eurosh në muaj për banim, këto familje do të përfitojnë edhe për 18 muaj të tjerë, deri në një zgjidhje të përhershme.

“Komuna ka marrë fillimisht një vendim për 6 muaj subvencion në formë pagese qiraje për secilën nga këto familje, e pas 6 muajve do të mblidhet sërish komisioni. Ne mendojmë që të kemi edhe një sjellje buxhetore të veçantë për raste të ngjashme. Sa herë të kemi probleme me kushte shumë të vështira banimi, sikur këto në të cilat kanë qenë këto familje, ne duhet të dalim në ndihmë të tyre me pagesën për qiranë”, tha Arben Vitia.

Vitia bëri të ditur se, tashmë kanë përfunduar 48 banesa të parashikuara për raste emergjente sociale, ndërsa Komuna e Prishtinës është në fazën e fundit për krijimin e komisionit dhe rregullores për përzgjedhjen e kandidatëve.

Ndarja e këtyre banesave, sipas Vitisë, do të bëhet në 6-mujorin e parë të vitit 2016.

Top Channel