Maqedonasit, për vitin 2015: Ishte vit i rëndë, presim ndryshime

02/01/2016 00:00

Qytetarët e Maqedonisë kanë lënë pas një vit të rëndë. Skandalet që u zbuluan nga përgjimet, luftimet në Kumanovë dhe kriza e thellë politike janë ngjarje, që askush nuk dëshiron të përsëriten.

“Uroj që viti 2016 të jetë ndryshe nga ai 2015 në aspektin e përgjithshëm; duke filluar nga aspekti i sigurisë, e deri tek ai i mirëqenies sociale dhe familjare. Nuk do të doja të përsëritet viti 2015, sepse sikurse në rajon dhe në botë, ashtu edhe në vendin tonë kishte shumë ngjarje të rënda, trishtuese dhe trazirash të panevojshme”, tha Ejup Berisha, gazetar.

Gjendja ekonomike përbën një problem tjetër serioz. “Eurostat”-i e ka renditur Maqedoninë si vendin e tretë më të varfër në Europë. Qytetarët nuk presin që viti 2016 të sjellë ndryshime të mëdha, por urojnë që të paktën të mos ketë ngjarje që mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e vendit.

“Natyrisht që ky vit nuk mund të konsiderohet si një vit i suksesshëm, duke pasur paqëndrueshmëri politike, sidomos pas publikimit të ‘bombave’ nga kreu i opozitës maqedonase, që e çuan vendin drejt krizës më të thellë politike gjatë 20 viteve të tranzicionit”, tha Xhenur Iseni, qytetar.

Sa u përket ndryshimeve, që mund të sjellin zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016, qytetarët shprehin mendime të ndryshme. Disa prej tyre thonë se ndryshimi në vend mund të ndodhë vetëm nëse do të ketë zgjedhje korrekte, por shumë qytetarë janë skeptikë që procesi elektoral të mund të jetë demokratik.

Top Channel