Romani që po përçan Izraelin

02/01/2016 00:00

Një histori dashurie imagjinare mes një izraeliteje dhe një palestinezi ka bërë që në Izrael të ndizen polemika të ashpra mes krerëve të Ministrisë së Arsimit dhe emrave më të njohur të letërsisë hebree si Amos Oz, A.B Yehoshua dhe Meir Shalev.

Historia në fjalë tregohet në një roman dhe përplasja ka zënë menjëherë vend në faqet e para të gazetave, ndërkohë që shitjet e librit kanë marrë dhenë.

“Shkëndija” u ndez nga bordi pedagogjik i Ministrisë së Arsimit, që teksa shqyrtonte listën e librave për t’u sugjeruar nxënësve të shkollave të mesve e cilësoi të papërshtatshëm “Gader Haya” (Kufiri i Jetës) të shkrimtares Dorit Rabinyan.

Romani tregon historinë e dashurisë mes studiueses izraelite Liat Benyamini, me origjinë nga Tel Avivi dhe piktorit palestinez Hilmi Nasser, nga Ramallahu, të cilët njihen në Nju Jorkun e gjallë, mes ekspozitave të artit dhe rrugëve të populluara.

Liat ka shërbyer në ushtrinë izraelite, ndërsa Hilmi ka kaluar 4 vjet në një burg të Izraelit psepse vizatonte flamurin palestinez nëpër rrugë.

Pavarësisht se në kahe të kundërta, të dy ata zbulojnë se janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, aq sa tërheqin edhe vëmendjen e FBI-së, agjentët e të cilës trokasin në derën e Liat. Për fat të keq, historia e dashurisë përfundon shpejt dhe të dy protagonistët marrin rrugë të ndryshme.

Përballë vendimit të Ministrisë së Arsimit për të mos e sugjeruar librin, emrat më të mëdhenj të kulturës laike hebree janë mbledhur për të protestuar.

Amos Oz, në reagimin e tij ka vënë në dukje se, edhe personazhe të rëndësishme biblike kanë zgjedhur gra jo hebree, ndërsa të tjerë kanë nënvizuar se martesat mes hebrejve dhe jo hebrejve në Izrael nuk janë të rralla.

E teksa polemikat vazhdojnë, libri i shkrimtares Rabinyan ka arritur shitje rekord, duke u mbaruar në të gjitha libraritë. Për pasojë, në ditët e ardhshme do të ketë një ribotim.

Top Channel