Rama uron Kadarenë për titullin “Legjioni i Nderit”

03/01/2016 00:00

Viti 2016 për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur me një urim dhe mirënjohje në drejtim të shkrimtarit shqiptar të njohur botërisht, Ismail Kadare, i cili në këto ditë festash të fundvitit 2015 dhe fillimvitit aktual u nderua me titullin më të lartë nga Franca, “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Duke e titulluar statusin e tij “Mirënjohje e respekt për Ismail Kadarenë”, kryeministri duket tepër i gëzuar për dekoratën më të lartë të shtetit Francez, dhënë për shkrimtarin Kadare nga Presidenti Francois Hollande. Ky vlerësim përkon edhe me 80-vjetorin e shkrimtarit tonë të njohur në mbarë botën.

“Urime nga zemra dhe mirënjohje e respekt, shkrimtarit që e ka çuar gjuhën shqipe në maja të pashkelura dhe që e ka bërë veprën e tij të lexohet e të admirohet në plot gjuhë të botës”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

I pari që reagoi për këtë vlerësim të Kadaresë me “Urdhrin e Legjionit të Nderit” ishte ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. “2016 nis me një lajm fantastik: Kadare u dekorua Komandant i Legjionit të Nderit, titulli më i lartë në Francë. Nderim i madh për Kadarenë dhe Shqipërinë”, shkroi Bushati në Tëitter.

Titulli “Legjioni i Nderit” jepet çdo vit në Francë për personalitet më të spikatura. Në listën e të dekoruarve pas vdekjes ishin 15 pjesëtarë të gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, që humbën jetën gjatë sulmeve në redaksinë e saj, në janar 2015.

Top Channel