Ekzekutimi i klerikut, Irani: Arabia do të përballet me “hakmarrje hyjnore”

03/01/2016 00:00

Arabia Saudite do të përballet me një “hakmarrje hyjnore” për shkak të ekzekutimit të klerikut shiit. Ky është paralajmërimi që vjen nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili e përshkroi sheikun Nimr al-Nimr si një “martir” që veproi gjithnjë paqësisht.

Protestues të shumtë mësynë drejt Ambasadës saudite në Teheran në orët e vona të së shtunës, duke i vënë zjarrin godinës përpara sesa të zmbrapseshin nga policia. Sheiku Nimr ishte një prej 47 personave të ekzekutuar pas akuzave për terrorizëm të ngritur ndaj tyre.

Megjithatë, Ajatollah Khamenei tha se kleriku është ekzekutuar jo për këto akuza, por për shkak se ishte kundërshtar i regjimit sunit në Arabinë Saudite. “Ky dijetar i shtypur nuk kishte bërë kurrë thirrje ndaj popullit për lëvizje të armatosur, as nuk ishte përfshirë në ndonjë komplot të fshehtë”, shkroi në Twitter udhëheqësi më i lartë i Iranit.

“I vetmi akt i kryer nga sheiku Nimr ishte të kritikonte haptazi”, shtoi ai, duke thënë se “gjaku i derdhur në mënyrë të padrejtë nga martiri i shtypur sheiku Nimr do të ketë së shpejti ndikimin e tij dhe hakmarrja hyjnore do të pushtojë politikanët sauditë”.

Sheiku Nimr ishte një figurë e shquar e protestave antiqeveritare që nisën përgjatë “Pranverës arabe”, por që u arrestua në vitin 2012. Irani, rivali kryesor rajonal i Arabisë Saudite, udhëheq zërat mes komuniteteve shiite që dënuan ekzekutimin e tij.

Ministria e Jashtme në Teheran bëri të ditur se Mbretëria sunite do të paguajë një çmim të lartë për veprën e tyre të fundit, teksa thirri të ngarkuarin me punë saudit në kryeqytetin iranian në shenjë proteste.

Disa prej protestuesve në Ambasadën saudite në Teheran hodhën bomba molotov dhe gurë. Rreth 40 persona prej tyre janë arrestuar, sipas zyrtarëve iranianë. Demonstrata ka pasur edhe në Provincën Lindore të Arabisë Saudite, ku myslimanët shiitë vazhdojnë të ankohen për margjinalizim, ashtu sikurse dhe në Irak, Bahrein dhe disa vende të tjera.

Top Channel