Kthimi i emigrantëve, në Durrës hasen probleme me pasaportat e fëmijëve

03/01/2016 00:00

Disa mijëra emigrantë shqiptarë dhe kosovarë po kthehen në vendet e tyre të punës, pasi kaluan festat e fundvitit në atdhe. Shumë prej tyre shprehen të kënaqur nga festat e kaluara pranë njerëzve të dashur në vendlindje, teksa kthehen në vendet e BE-së përmes Portit detar të Durrësit, për t’iu rikthyer punës dhe jetës normale atje.

Por nuk kanë munguar as problemet, veçanërisht me pasaportat e fëmijëve të lëshuara në vitet 2009-2010 dhe që, pavarësisht afatit 10-vjeçar të shënuara në to, ato konsiderohen dokumente të pavlefshme për udhëtim.

Prindër emigrantë, që kanë prerë biletat bashkë me fëmijët dhe në padijeni të këtij ndryshimi, përballen me ndarjen në terminal. Një gruaje emigrante në Bari të Italisë, natën e kaluar i është mohuar udhëtimi drejt Italisë së bashku me djalin e saj, i cili ka nevojë edhe për kontroll të posaçëm mjekësor në vendin ku jeton.

Ajo nuk është e vetmja, që është përballur me ndalesën e kalimit të kufirit për fëmijët, që ende zotërojnë pasaportat 10-vjeçare të lëshuara 6 vite më parë, dhe kërkon që autoritetet të jenë më të përgjegjshme kundrejt qytetarëve të tyre, të paktën në drejtim të informimit të emigrantëve.

Natën e kaluar, më 2 janar, rreth 4017 persona, kryesisht emigrantë shqiptarë dhe kosovarë, si dhe 860 automjete udhëtuan drejt Italisë nga pika kufitare e Portit detar të Durrësit, me 4 tragete të linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona.

Për të shmangur radhët dhe për të mundësuar një përpunim të shpejtë, Policia Kufitare e Durrësit dhe Dogana po punojnë me kapacitet të plotë. Sipas agjencive të lundrimit, këtë të dielë fluksi i lëvizjes në kufi do të jetë më i vogël, ndërsa e hëna dhe e marta pritet të shënojnë një tjetër fluks të madh udhëtarësh e automjetesh drejt Italisë.

Top Channel