Turqi, shpëtohen 57 refugjatë të bllokuar në një ishull

03/01/2016 00:00

Rojet bregdetare të Turqisë kanë mundur të shpëtojnë 57 persona, të cilët kishin ngecur në një ishull të vogël në detin Egje, pasi ishin përpjekur të kalonin nga aty drejt Greqisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” bën të ditur se u vunë në dispozicion helikopterë për të evakuuar 12 persona, përfshi 3 fëmijë të sëmurë, në ishullin pranë qytetin bregdetar turk të Dikilit, në provincën e Izmirit.

Ndërkohë, peshkarexha të vogla kanë ndihmuar në shpëtimin e të tjerëve, pasi mjetet lundruese të Rojes Bregdetare nuk mundeshin të shkonin deri në ishullin në fjalë për shkak të zonës shkëmbore.

Ende nuk flitet për viktima apo të jepet ndonjë informacion në lidhje me kombësinë e personave të shpëtuar.

Më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë kanë mbërritur në Europë gjatë vitit 2015, në atë që konsiderohet si fluksi më i madh i refugjatëve në kontinentin e vjetër, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Afro 3800 të tillë nuk kanë mundur t’i shkojnë deri në fund ëndrrës së tyre, pasi kanë humbur jetët në detin Mesdhe. Shkak ka qenë tejmbushja e varkave të vogla me të cilat kanë tentuar të kalojnë nga njëri breg në tjetrin derisa të mundnin të shkelnin në ndonjë prej vendeve të BE-së për të kërkuar azil.

Top Channel