Vrasja e dy vëllezërve, vazhdon operacioni për kapjen e autorit

03/01/2016 00:00

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vrasja e dy vëllezërve, Abdulla dhe Skënder Shkami, në Drishtë të Shkodrës, forca të shumta policie vijojnë kërkimin në terren për arrestimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, 30-vjeçarit Aleksandër Dushaj.

Por, pavarësisht forcave të shumta të policisë, të mbështetura edhe nga FNSH e Shkodrës e forcat RENEA, terreni i vështirë dhe moti i ftohtë e ka bërë shumë të vështirë identifikimin e vendndodhjes së autorit.

Sipas gazetares sonë, Anila Hoxha, e cila po ndjek operacionin e policisë nga afër, mësohet se forcat e policisë kanë marrë në ruajtje banesën e autorit të dyshuar, Aleksandër Dushaj, ndërsa ky i fundit dyshohet se është fshehur në malet e shumta të zonës përreth, ku dhe është shtrirë operacioni i kërkimit të policisë.

Veç terrenit të vështirë dhe motit të papërshtatshëm, forcat e policisë kanë parasysh edhe faktin se autori dyshohet të jetë i armatosur dhe mund të hapë zjarr ndaj uniformave blu, e për këtë arsye, operacioni është duke u zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.

Nga hetimet e para rezulton se, shkak i vrasjes së dy vëllezërve Abdulla dhe Skënder Shkami, 50 dhe 40 vjeç, banorë të fshatit Drisht, Postribë në Shkodër, është se një prej vëllezërve ka refuzuar krushqinë me fqinjin, e kjo ka qenë një fyerje e rëndë për 30-vjeçarin, që kreu edhe vrasjen.

Top Channel