PD, Alibeaj: 8 viktima në dy ditë, bilanc tragjik i fillimvitit

03/01/2016 00:00

Duke numëruar një për një të 8 viktimat e shënuar nga aksidentet rrugore dhe vrasjet në vendin tonë, në vetëm dy ditët e para të këtij viti të ri 2016, kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dalë në një konferencë për shtyp duke kërkuar marrjen e masave për forcimin e rendit dhe sigurisë në vend.

“Një bilanc dramatik është shënuar në këtë fillimviti në vendin tonë, duke dëshmuar edhe njëherë përkeqësimin e rendit dhe sigurisë. Një krim i dyfishtë në Sarandë u shënua në orët e para të vitit 2016. Shtetësja Lina Uzo u ekzekutua nga bashkëshorti, edhe pse ajo kishte një urdhër mbrojtjeje, si pasojë e dhunës që ushtronte bashkëshorti i saj. Në orët e para të mëngjesit  të 1 janarit, si pasojë e aksidentit në aksin Lushnjë-Berat humbi jetën një 17-vjeçare ; po më 1 Janar 18-vjeçari Rudolf Javxhiu humbi jetën në aksin Lin-Pogradec; 4 të rinj u plagosën dhe fatkeqësisht njëri prej tyre, Ardit Piranej, 34 vjeç, humbi jetën në aksin Velipojë-Shkodër. Në Tiranë, efektivi 48-vjeçar i policisë, Njazi Cera humbi jetën, si pasojë e një aksidenti në Sauk. Një vrasje e dyfishtë shoqëroi këtë fillimviti të përgjakshëm. Në fshatin Drisht të Postribës, dy vëllezër Abdulla dhe Skënder Shkami janë ekzekutuar me armë zjarri. Mbrëmë në aksin Lezhë-Shkodër është qëlluar me armë zjarri, duke humbur jetën, shtetasi Dritan Lorenci. Një bilanc tragjik, 8 viktima në vetëm dy ditë, tregon një përkeqësim të rendit dhe sigurisë”, është shprehur Alibeaj.

Nga selia blu, kreu i Rendit dhe Sigurisë në PD ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, e gjithashtu u ka bërë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit që të marrin masa për t’iu dhënë mbrojtjen e duhur viktimave të dhunës në familje, për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për të rritur forcën parandaluese përmes shërbimeve të informacionit. Ai i ka ftuar të gjithë punonjësit e policisë, të vazhdojnë me përkushtim punëne  tyre në shërbim të qytetarëve, si dhe në ruajtje të rendit dhe sigurisë.

Top Channel