NBA, fitojne Golden State e San Antonio

03/01/2016 00:00

Golden State shënon një tjetër fitore në NBA. Skuadra kampione në fuqi, këtë radhë mposhti Denver Nuggets në Oakland, me rezultatin 111-108.

Kjo ishte një ndeshje e vështirë për Warriors, që e zgjidhi gjithçka në kohën shtesë, ku ai që spikati këtë radhë për kampionët ishte Draymond Green me 29 pikë, 17 topa në tabelë dhe 14 asiste.

Për Denver, 24 pikët e Gallinarit nuk mjaftuan për të evituar këtë disfatë, që ishte e 22-ta për të në këtë sezon, ndërkohë që bilanci i Golden State shkon në 31 fitore dhe vetëm 2 humbje.

San Antonio Spurs fiton derbin teksan ndaj Houston 121-103. Në “AT&T Center”, skuadra e drejtuar nga Greg Popovich ishte superiore ndaj Houston, duke e kryesuar ndeshjen për pjesën më të madhe të kohës.

Skuadra e San Antonios e caktoi përfundimisht fatin e takimit në periodën e tretë të saj, 12-minutësh të cilin e fitoi me një diferencë prej 19 pikësh. U dallua në këtë ndeshje për Spurs, Aldridge me 24 pikë dhe 9 topa në tabelë, ndërkohë që Toni Parker ishte ai që dha më shumë asiste, 10 të tillë.

Me këtë fitore, San Antonio qëndron i qetë në vendin e dytë në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit, me 29 fitore dhe 6 humbje.

Fitore në NBA shënoi edhe Cleveland Cavaliers me Orlandon 104-79, ndërsa Memphis u mposht nga Utah 87-92. Disfatë pësoi edhe Dallas Mavericks kundrejt New Orleans 98-105, ndërkohë që Brooklyn mposhti Boston me rezultatin 100-97.

Top Channel