Marrëveshjet, Kosova ende larg integrimit; Serbia vjel përfitimet e BE-së

03/01/2016 00:00

Sa më shumë bëhen deklarata për afrimin e Kosovës me Bashkimin Europian dhe vlerat e shoqërisë europiane, aq më e largët duket kjo në këndvështrimin e ekspertëve, kur vlerësohet angazhimi i autoriteteve kosovare në këtë drejtim, por edhe konsiderata e BE-së për Kosovën.

Viti 2015 nuk i takon vetëm pamjeve me gaz lotsjellës dhe konfrontimeve në politikën e brendshme të Kosovës.

Politika e jashtme, veçanërisht ecuria e Kosovës drejt BE-së përmes zgjidhjes së ngërçit me Serbinë, mbetet një fushë tjetër, në të cilën qeveria e Kosovës ka ngecur. Kjo, pavarësisht kompromiseve të mëdha, duke nisur nga ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale, që do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së, dhe marrëveshjeve politike me Serbinë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, si organizatë e shoqërisë civile ka bërë jo pak hulumtime për politiken e jashtme të Kosovës dhe raportin e saj me ndërkombëtarët, por në vitin 2015, bilanci – sipas Fisnik Korenicës, – është krejtësisht negativ.

“Kosova bëri një luftë të jashtëzakonshme, edhe të brendshme politike, për t’i kaluar amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale dhe në fund të fundit, deri më sot, Kosova nuk ka marrë asgjë praktike nga Bashkimi Europian, që do të garantonte jo vetëm rrugën europiane për Kosovën, por që do të hiqte edhe izolimin aktual ndaj qytetarëve të Kosovës, si të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk lëvizin dot pa viza”, tha Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Janë të paktën tri momente, në të cilat Bashkimi Europian – sipas Korenicës, – e ka anashkaluar Kosovën. Nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndonëse vlerësohet si arritja kryesore nga qeveria, nuk garanton rrugë të qartë europiane, sidomos kur bëhet fjalë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Liberalizimi i vizave është një tjetër çështje, për të cilën Komisioni Europian është treguar shumë rigoroz me Kosovën dhe, e treta, por jo më pak e rëndësishme, është kushtëzimi që BE-ja do të duhej t’ia bënte Serbisë përmes “kapitullit 35”.

“Kapitulli i 35-të nuk është asgjë më shumë sesa një kërkesë për t’i zbatuar marrëveshjet në Bruksel. Në asnjë moment nuk vendos premisa për t’i kërkuar Serbisë, që të vendosë juridikisht me Kosovën edhe përmes heqjes dorë prej shtetësisë sonë, por gjithashtu ‘35’-shi i Serbisë garanton ecurinë shumë të shpejtë të saj në fazat e anëtarësimit. Kur ajo të bëhet anëtare e BE-së do të ketë ‘veto’ për ta bllokuar Kosovën. As heqja dorë nga vetoja për Kosovën nuk është kushtëzuar në ‘kapitullin 35’”, tha Fisnik Korenica.

Përmbajtja e “kapitulli të 35-të”, në raport me shtetet që aspirojnë anëtarësimin, flet për çështje jo edhe aq shumë të rëndësishme, por për Serbinë dhe Kosovën në këtë rast është jetike. Për qeverinë e Kosovës ishte edhe shpresa e madhe për ndërrim faqeje në raport me BE-në, pa u kushtëzuar nga Serbia.

“Ne presim që në kapitullin e 5-të, Serbia të kushtëzohet”, tha Isa Mustafa më 16 tetor 2015.

Jo e tëra ndërlidhet me qasjen e BE-së ndaj Kosovës. Qeveria po kështu ka qenë pasive në punën e saj për ta kushtëzuar rrugën e Serbisë drejt BE-së, përmes kapitullit të 35-të.

“Deri më sot, qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar dhe nuk ka bërë kërkesë, që në raport me kapitullin e 35-të të përcaktojë parimet, që duhet të jenë në atë kapitull, për shkak të këtij pasiviteti ka dështuar qeveria t’i imponojë”, tha Fisnik Korenica.

Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe procesi i njohjes së pavarësisë janë dy çështje të tjera, në të cilat Kosova ka bërë hapa simbolikë. Vetëm tri shtete e kanë pranuar Kosovën në vitin 2015. Po për pak vota, mes tyre edhe tri abstenime nga shtete që e kanë njohur Kosovën, ekzekutivi kosovar – përkatësisht Ministria e Jashtme, si prijëse e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, – dështoi ta fitojë betejën përballë Serbisë.

Anëtarësimi në UNESCO është vetëm njëra nga betejat e rëndësishme, që Kosova ka para vetes në vitet që vijnë, në luftën e saj diplomatike me Serbinë, një shtet fqinj ky i shndërruar tashmë në pengesë kryesore, për çdo nismë që ndërmerr Kosova drejt forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Top Channel