Prizren, dëmtohen varrezat katolike; akti dënohet nga politika

03/01/2016 00:00

Dëmtimi i varrezave katolike në fshatin Dedaj të rajonit të Hasit, në Kosovë, ka nxitur reagimin e zëvendëskryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, dhe subjekteve politike.

Thaçi e quan akt barbar këtë sulm, duke e konsiduar sulm mbi një vlerë universale njerëzore, që tradicionalisht është respektuar në vendin tonë.

“Duke shprehur keqardhje dhe duke u solidarizuar me banorët e Dedajve në Romajë, jam i bindur që nuk ka forcë që mund të mbjellë përçarje mes qytetarëve të Kosovës, që shquhen për tolerancë fetare, respekt të ndërsjelltë dhe harmoni fetare”, shkruan Thaçi në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq, e cilëson si vepër kriminale dhe përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë, e cila ka kohë që është shembull për shumë vende në rajon dhe më gjerë.

“E dënoj ashpër këtë akt qyqar dhe kërkoj, që organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i shkakton një imazh të keq jo vetëm kësaj ane, por të gjithë Kosovës”, citohet të ketë thënë Haradinaj, në një komunikatë për media nga AAK.

Ndër të tjera, Haradinaj thotë se varrezat janë objekte të shenjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. “Prandaj nuk do të lejojmë askënd, që të na i rrezikojë këto vlera”.

Dëmtimin e varrezave katolike në Has të Prizrenit e ka konfirmuar edhe policia, duke bërë të ditur se janë nisur hetimet, por ende nuk ka të dyshuar në lidhje me këtë rast.

Top Channel