Rusia, përballë “kërcënimeve” SHBA dhe NATO

03/01/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO janë dy emrat e rinj, që Rusia i ka cilësuar si kërcënime për sigurinë kombëtare të saj.

Mesa duket, nisja e vitit të ri nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet Moskë-Perëndim, por përkundrazi i ka përkeqësuar ato. Dokumenti me titullin “Rreth strategjisë së sigurisë kombëtare të Federatës Ruse”, që u nënshkua nga Presidenti Vladimir Putin në prag të mbylljes së 2015-s, zëvendëson një version të 2009-s, i cili ka qenë i miratuar nga ish-Presidenti Dmitry Medvedev, kryeministri aktual i vendit.

Ndër të tjera, aty përmendet fakti se roli i Rusisë në arenën ndërkombëtare, si dhe në zgjidhjen e problemeve globale, është rritur. Por, sipas dokumentit, ky angazhim i madh i Kremlinit ka shkaktuar reagim nga Perëndimi.

“Forcimi i Rusisë vjen në sfondin e kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare, të cilat kanë një natyrë komplekse. Kryerja e një politike të pavarur, ndërkombëtare dhe vendase, ka shkaktuar kundërveprim nga SHBA dhe aleatët e saj, të cilat po përpiqen të ruajnë të njëjtën dominancë të tyre në çështjet globale”, citohet nga dokumenti strategjik.

Për Presidentin Vladimir Putin, kjo strategji e ndjekur nga Perëndimi ka gjasë të shkaktojë “presion politik, ekonomik dhe ushtarak” në Rusi.

Dokumenti liston një sërë ankesash kundër NATO-s, duke përfshirë edhe “intensifikimin e veprimtarive ushtarake të vendeve anëtare”, “zgjerimin e mëtejshëm të aleancës”, si edhe “lëvizjen e  infrastruktures ushtarake shumë pranë kufijve të Rusisë”, gjë që e konsideron si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ndër të tjera, Moska thotë se ISIS ka theksuar “politikën e standardeve të dyfishta, që disa vende po u përmbahen në luftën kundër terrorizmit”, çka është e qartë se i referohet politikës së jashtme të Perëndiit në Siri.

Akuzat e Kremlinit kundër NATO-s dhe SHBA-ve, tashmë të dokumentuara në politikën zyrtare të sigurisë kombëtare të Rusisë, me shumë gjasë do të përshkallëzojnë më tej marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit.

Top Channel