PD: Përkeqësim i situatës ekonomike në Shqipëri

03/01/2016 00:00

Partia Demokratike iu referua publikimit të fundit të revistës ekonomike “Forbes” për të treguar se, situata ekonomike në Shqipëri po vazhdon të përkeqësohet me ritme dramatike. Raporti i “Forbes”, që rendit vendet për klimën e të bërit biznes, vë në dukje se taksat e larta, korrupsioni dhe pasiguria ligjore janë problemet madhore të Shqipërisë.

“Ky raport vendos Shqipërinë të 69-n, pas Maqedonisë e 39-a, Malit të Zi i 49-i, pas vet Ukrainës e 61-ta, vend që është përfshirë nga valët e trazirave të brendshme, që rrezikojnë të shkaktojnë luftë civile. Pra, Shqipëria është më keq edhe se një vend që rrezikon luftën civile. Korrupsioni qeveritar i shtrirë kudo, korrupsioni dhe pengesat burokratike në sistemin e pagesës së taksave, radhët e gjata për të marrë licenca, sistemi i dobët gjyqësor, zbatimi i dobët i kontratave, çështjet e pronësisë dhe lënia pezull e zhvillimit të infrastrukturës kontribuojnë në mjedisin e dobët të të bërit biznes në Shqipëri dhe e bëjnë tërheqjen e investimeve të huaja tepër të vështirë”, tha Mateo Spaho.

Partia Demokratike citoi dhe analizoi, përse Shqipëria gjendet shumë poshtë në renditje.

“Vendi do të vazhdojë të përballet me sfida nga rritja e borxhit publik, i cili ka tejkaluar kufirin e vet ligjor prej 60% të PBB-së në vitin 2013, duke arritur 72% në vitin 2014. Qeveria e ka çuar Shqipërinë në vendin e 109 për taksa të larta. Me kontrabandën nga tatimet dhe doganat, lojërat e fatit dhe shëndetësinë e ka çuar Shqipërinë në vendin e 99 për nivelin e korrupsionit. Asnjë reformë dhe kompensim nuk është kryer për rikthimin e pronës tek i zoti, teksa e drejta e pronësisë është në vendin e 114, e dëmtuar edhe nga një sistem gjyqësor thellësisht i korruptuar”, tha më tej Spaho.

Opozita thotë se, qeveria nuk e përmbush dot marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar për uljen e borxhit publik dhe beson se, vetëm programi ekonomik i Partisë Demokratike i bazuar te taksat e ulëta dhe lufta ndaj korruosionit do të mund të nxjerrin vendin nga kriza ekonomike.

Top Channel