Reshjet, probleme në verilindje. Policia: Kujdes shpejtësinë e zinxhirët!

03/01/2016 00:00

Pas uljes së temperaturave dhe fillimit të reshjeve, në zonën verilindore të vendit është vështirësuar qarkullimi i mjeteve, si pasojë e ngricave, por edhe reshjeve të dëborës.

Policia Rrugore në Kukës njofton se, si pasojë e ngricave dhe reshjeve të dëborës në aksin rrugor “Tuneli i Kalimashit – Morinë” lëvizja është e vështirë, ndaj u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të ecin me shpejtësi të kufizuar, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Sipas Policisë Rrugore, në afërsi të tunelit të Kalimashit ka filluar të bien reshje bore, ndonëse me intesitet të ulët. Bora po shoqërohet me reshje shiu, çfarë e vështirëson lëvizjen e automjeteve.

Kompania mirëmbajtëse po punon për hedhjen e kripës me 4 automjete borëpastruese. Gjithashtu akset rrugore Krumë-Qafë Prush, B.Curri-Lekbibaj-Valbonë-Fierzë ka reshje dëbore, qarkullohet me zinxhirë, ndaj këshillohet të lëvizin me shpejtësi të kufizuar.

Shërbimet Policisë Rrugore në të gjithë qarkun ndodhen në detyrë për parandalimin e aksidenteve dhe këshillimin e drejtuesve të mjeteve për të ulur shpejtësinë. Firmat kontraktuese ndodhen në rrugë, duke hedhur kripë dhe skorje për mbajtjen e rrugës në gjendje normale.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel