Bora mbulon Qarkun e Kukësit. Policia: Kujdes shpejtësinë e zinxhirët!

03/01/2016 00:00

Bora ka mbuluar gjithë Qarkun e Kukësit, ku në qytet trashësia arrin deri në 10 centimetra. Fillimisht pati reshje të dobëta shiu, por rreth mesditës të së dielës, shiu pushoi për t’i lënë vendin dëborës, e cila solli dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve, por edhe të njerëzve.

Për pastrimin e rrugëve nga bora shërbimet e bashkisë angazhuan dy borëpastruese duke hedhur kripë me qëllim të mos krijimit të shtresave të akullit. Si pasojë e reshjeve të dendura ka vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse në Qarkun e Kukësit, ku këshillohet lëvizja me zinxhirë.

“Situata në përgjithësi paraqitet pa ndonjë problematik të theksuar. Situata në Tropojë është pak më e vështirë për shkak se atje trashësia e borës arrin deri në 10-15 cm, megjithatë rrugët janë të gjitha të hapura. Ka një angazhim të të gjitha firmave sipërmarrëse, të cilat kanë sasinë e duhur edhe të kripës dhe të mjeteve të nevojshme”, shprehet Abdulla Domi, Shtabi i Emergjencave.

Vështirësi në qarkullim e automjeteve pati edhe në Rrugën e Kombit, më konkretisht në afërsi të tunelit të Kalimashit, ku katër borëpastruese nisën punën për pastrimin e këtij aksi dhe hedhjen e kripës.

Si pasojë e ngricave dhe reshjeve të dëborës në aksin rrugorë Tuneli Kalimashit- Morinë, policia u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të ecin me shpejtësi të kufizuar, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Top Channel