“Lërini telefonat, jini vigjilentë”

03/01/2016 16:50

Përdorimi i shumtë i telefonave dhe kufjeve në ambiente publike ka bërë që njerëzit të mos jenë aspak vigjilentë ndaj akteve të mundshme të terrorizmit.

Në valën e një kërcënimi për akte barbare në kryeqytetet europiane, ish-ministrja britanike kundër-terrorizmit, Pauline Neville-Jones, nxit njerëzit që të marrin përgjegjësi personale për sigurinë e tyre dhe të ndërgjegjësohen kur lëvizin nëpër rrugë apo veçanërisht kur përdorin transportin publik.

Ajo tha se ishte alarmuar nga numri i njerëzve të cilët nuk janë aspak në dijeni me ato çka ndodh përreth tyre në mjedisin publik. Me rëndësi për Pauline Neville-Jones është që njerëzit të jenë “vigjilentë”, por jo të ndihen të alarmuar.

Ekspertët besojnë se Europa në vitin 2016 do të përballet me një “normale të re”, e cila do të jetë kërcënimi terrorist. Sipas tyre, njerëzit do të duhen të bashkëjetojnë me këtë ide, pasi çështja e sigurisë do të jetë edhe kryefjala e vitit të ardhshëm. Pas sulmeve në Paris, analistët thonë se shërbimet e sigurisë janë përgatitur për faktin se Shteti Islamik ka aftësinë për të goditur objektiva europiane në mënyrë profesionale.

Ndaj Britania e Madhe në një udhëzim zyrtar i sugjeron qytetarët që në radhë të parë të jenë vetë të kujdesshëm dhe më pas t’ia lënë përgjegjësinë më të madhe autoriteteve të inteligjencës dhe forcave policore.

Top Channel