Skemat e mashtrimit, 60 milionë euro dëm shtetit

04/01/2016 11:25

60 milionë euro është dëmi që i është shkaktuar shtetit nga skemat e mashtrimit në 6-mujorin e dytë të 2015.

Prokuroria ka vendosur në sekuestro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që arrijnë në një vlerë të përafërt prej 45 milionë eurosh.

Zyrtarisht, vitin e kaluar kanë nisur hetimet për 6 skema mashtrimit, ku kryeson ajo e DIA-s me një vlerë mashtrimi prej 10 milionë euro dhe çështja Becchetti me një vlerë prej 40 milionë euro.

Tjetër skemë mashtrimi ishte ajo e skandalit me rimbursimin e ilaçeve, me një dëm prej 2 milionë euro. Në krye të kësaj skeme dyshohet se është drejtuesi i një kompanie private farmaceutike dhe që ka përfshirë në hetime, zyrtare e ish zyrtare të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, dhe administratorë farmacish.

Prokuroria e Korçës zbuloi një tjetër skemë mashtrimit, me një dëm prej 1.5 milionë euro, në tregun e materialeve interte. Ndërsa në nëntor, prokuroria e Tiranës zbuloi aferrën e shmangies së detyrimit ndaj shtetit për shitjen e aksioneve të kompanisë së naftës “Fullpet”, me një vlerë prej 500 milionë lekësh të reja.

Në dhjetor prokuroria e Fierit zbuloi një tjetër aferrë në tregun e karburanteve, ku përgjegjës konsiderohet administratori i “Tea Oil”, Adrian Xhillari. Vlera e shmangies së detyrimeve ndaj shtetit ishte rreth 2.5 milionë euro.

E fundit, ishte skema e mashtrimit në tregun e lojërave të fatit me një vlerë prej 1 milionë euro. Për këtë janë arrestuar Ndoj e Paulin Preçi, administratorë të kompanisë një kompanie lojërash fati.

Top Channel