Fillon në Selanik gjyqi i gardianëve për çështjen “Kareli”

04/01/2016 00:00

Ka filluar mëngjesin e së hënës deri në orën tre pasdite në Gjykatën e Selanikut gjyqi i shumëpërfolur i gardianëve të burgut të akuzuar për vdekjen e të dënuarit shqiptar, Ilia Kareli, në burgun e Nigritës në mars të vitit 2014.

Në bankën e të akuzuarve kanë qëndruar 13 gardianë, të cilëve u ngarkohet akti i torturave të dhunshme në bashkëpunim, nga të cilat është shkaktuar edhe vdekja e të burgosurit. Për të njëjtën çështje akuzohet edhe ish-drejtori i burgut të Nigritës, i cili përballet me akuzën e veprës penale të nxitjes së aktit dhe të mbështetjes së fajtorëve.

Në sallë kanë qenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit, përveç njërit që përfaqësohet nga avokati i tij. Të pyetur nga trupa gjyqësore nëse pranojnë aktakuzën ata të gjithë kanë deklaruar se nuk pranojnë asnjë prej atyre akteve që u ngarkohen. Njëri madje ka deklaruar se është i pafajshëm, ndërsa një tjetër ka thënë në mënyrë karakteristike se “nuk kam asnjë lidhje me akuzat që po përballem”.

Trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e avokatëve të të akuzuarve, të cilët kërkuan hapjen e hetimeve të reja për gardianët e burgut të Malandrinos, ku Kareli plagosi për vdekje rojen e burgut, Jorgos Tsironis, për policët e stacionit policor të Iteas ku ka qëndruar tre ditë pas vrasjes  dhe  për policët që kryen transportin e tij drejt burgut të Nigritës prane qytetit të Serresit, 90 km larg Selanikut.

Sipas avokatëve mbrojtës, që kanë paraqitur edhe disa fotografi , ndaj Karelit është ushtruar dhunë para se të vinte në burgun e Nigritës dhe bashkë me problemet kardiake që ka pasur, ata pretendojnë se këto kanë përshpejtuar vdekjen e tij.

E veçanta e këtij gjyqi është se avokati i vendosur nga familja Kareli ka zyrën e tij në Athinë dhe nuk merr pjesë në proces, ndërsa Avokati i Popullit grek nuk mund të vendosë avokat pa pagesë. Në fillim të seancës kanë dëshmuar 2 nga pjestarët e grupit policor të shoqërimit.

Gjyqin e ndjek, ashtu si dhe në seancat e para në qytetin e Serresit dhe më pas në Selanik,vetë konsullja e Përgjitjshme e Shqipërisë në Selanik, Pavlina Evro. Siç ka deklaruar për Top Channel, pas ndërprerjes së seancës së datës 16.12.2015 ajo ka zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet e drejtësisë vendase, si me kryetaren e Gjykatës së Apelit në Selanik, kreun e  Dhomës së Avokatëve, zyrën e Avokatit të Popullit grek dhe Konsullin e Përgjitjshëm të  ShBA-ve në Selanik për një trajtim sa më dinjitoz të kësaj çështjeje që konsiderohet si më e bujshmja  e torturave ndaj një të burgosuri në burgjet greke.

Sipas dosjes gjyqësore në 25 mars të vitit 2014, i burgosuri shqiptar Kudret Kume, i njohur si Ilia Kareli, ka plagosur për vdekje një roje grek në burgun e Malandrinos. Tre ditë më pas, gjatë transferimit të tij në institucionin penitenciar të Nigritës, 90 km larg Selanikut, rojet e këtij burgu, duke dashur ta ndëshkojnë për vdekjen e kolegut të tyre, e kanë torturuar në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike duke shkaktuar tek ai dëmtime të shumta dhe të rënda trupore si dhe thyerje të brinjëve, të kafazit të kraharorit, të cilat sollën pas disa orësh edhe vdekjen e tij.

Lista e dëshmitarëve të gjyqit që do të vazhdojë të martën dhe më pas në datën 12 janar përmban 65 persona, midis tyre kolegë të gardianëve nga burgjet e Malandrinos dhe Nigritës, policë të shërbimeve të ndryshme si dhe dy të afërm të familjes së viktimës.

Top Channel