Partizani prezanton trajnerin e ri. Agostinelli: Të fitojmë titullin!

04/01/2016 13:45

Partizani ka prezantuar sot trajnerin e ri, italianin Andrea Agostinelli, i cili do të zëvendësojë Sulejman Starovën që drejtoi në dy fazat e para të kuqtë kryeqytetas.

Ish-lojtari i Serisë A dhe trajner i disa ekipeve si Napoli, Salernitana, Piaçenca dhe Krotone, Agostinelli shprehet se përpara pranimit të ofertës për të drejtuar Partizanin, ka pasur këshillime me trajnerin e përfaqësueses Gianni De Biasi dhe zëvendësin e tij, Paolo Tramezzani.

“Vij në këtë klub kaq të rëndësishëm me shumë entuziazëm, me synimin që të kontribuoj me eksperiencën time si lojtar dhe trajner në Itali gjatë shumë viteve. Ndihem njësoj si në ditën e parë të shkollës, jam shumë i motivuar që pas shumë vitesh ta drejtoj këtë skuadër të fitojë diçka të rëndësishme. Kam ardhur jo thjesht për të marrë pjesë. Nëse e dëshiron diçka, atëherë ajo mund të arrihet. Nëse shfaqesh pak i bindur, je i humbur që në nisje. Po e studioj skuadrën për të kuptuar të mirat dhe defektet. Do të shoh ndeshjet e zhvilluara, por e di se është një ekip konkurrues. Presidenti më ka kërkuar vetëm një gjë dhe kjo është arsyeja përse kam ardhur: të fitojmë kampionatin. Nuk kemi pse të fshihemi”, tha Agostinelli.

Ndeshja e parë e 58-vjeçarit në drejtimin e Partizanit do të jetë ajo ndaj Laçit në kryeqytet, më 30 janar, kur do të fillojnë edhe fazat e mbetura të këtij edicioni të Kategorisë Superiore.

Top Channel