“Cross Country 2016”, aktiviteti më i ri në Shqipëri

04/01/2016 13:50

Viti sportiv 2016 në Shqipëri nisi me edicionin e parë të Cross Country, ku pjesëmarrësit garuan me “mountain bike”. I organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit dhe Bashkia e Tiranës, ky  aktivitet ishte i hapur për çiklistë profesionistë dhe amatorë.

Garuesit në këtë aktivitet kaluan në trajektoren e re të quajtur Shtegu i Gjelbër, që lidh Tiranën me Durrësin dhe që është e gjatë 68 km. Gara u zhvillua nën reshjet e shiut, që e shtuan akoma edhe më shumë shkallën e vështirësisë së saj.

Sportistët pjesëmarrës ishin të ndarë në disa kategori, profesionistë, garues deri në moshën 30 vjeç dhe ata mbi 30 vjeç. Në përfundim të këtij aktiviteti u përcaktuan edhe fituesit e çdo kategorie si dhe ata të të gjithë garës. Kështu, fitues i këtij edicioni të “Cross Country Albania” u shpall Ylber Sefa, duke lënë në vendin e dytë Isert Gjatollin, ndërsa i treti u rendit Xhorxho Seferi.

Në përfundim të aktivitetit, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku vlerësoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet dhe shtoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë me organizimin e tij.

Top Channel