Nga Komisioni Evropian kanë konfirmuar të hënën se eurokomisari për Zgjerim, Johannes Hahn, do të vizitojë Shkupin gjatë muajit janar, por pa përcaktuar datën e saktë të vizitës së tij.

“Johannes Hahn do të vizitojë Shkupin, por kur do të ndodhë kjo ende nuk mund të konfirmohet”, ka pohuar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ketrin Rej.
 
Ndërkohë, edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, të dielën mbrëma e ka konfirmuar vizitën e  Hahnit në Shkup, por pa zbuluar se për çfarë do të bisedohet.
 
Në janar Shkupin pritet ta vizitojnë edhe eurodeputetët Riçard Hovit, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgell, të cilët së bashku me eurokomisarin Han kanë ndërmjetësuar në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinos.

Vizitat e zyrtarëve nga Brukseli kanë për qëllim të ndihmojnë realizimin e plotë të marrëveshjes ndërpartiake të Përzhinos për daljen e Maqedonisë nga kriza politike.

Top Channel