Moti tërësisht kaotik, ulje-ngritje temperaturash

04/01/2016 00:00

Këtë fillimviti, vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu të cilat do të shoqërohen me stuhi dhe rrufe.

Meteorologët sqarojnë se pas uljes së temperaturave në ditët e para të këtij viti, të cilat shënuan edhe reshjet e para të deborës në zonat malore, ditën e mërkurë pritet të kemi rritje të temperaturave me 4 deri në 5 gradë dhe reshje të dendura shiu.
 
“Ditën e mërkurë presim të riaktivizohet një qendër e presionit të ulët atmosferik, do të kemi afrimin e masave të ngrohta, me origjinë mesdhetare. Do të kemi një kontrast të fortë termik që do të sjellë reshje shiu me intensitet të lartë që do të kalojnë 70 mm. Këto do të jenë kryesisht në ultësirën perëndimore, Shkodër, Lezhë, Durrës, në vijën bregdetare, reshjet do të jenë të vazhdueshme, të cilat do të ketë rrufe pothuajse në mesditë dhe pjesës së dytë të ditës së mërkurë. Të mërkurën pritet që temperaturat do të jenë rreth 16 gradë Celcius”, tha Rezarta Xhakollari.

Në buletinin e Qendrës Kombëtare për parashikimin dhe monitorimin e rreziqeve natyrore thuhet se nga dita e martë deri të premten pritet shtim i prurjeve në basenet e lumenjve të Shkumbinit , Erzenit, Drin i Lezhës, Drin dhe Bunë. Ekspertët parashikojnë përmbytje të vogla anës brigjeve të lumenjve . Reshjet e shiut pritet të ndalen në fundjavë ku do të kemi sërish një ulje të temperaturave.

“Dita e premte parashikohet të ketë një ndërprerje totale të reshjeve po dhe jnë rënie sërish të temperaturave. Në zonat malore sërish do të kalojë në vlerat negative në orët e mëngjesit dhe fundjava presim të riaktivizohet një qëndër tjetër e presionit të ulët atmosferik. Do të kemi sërish ardhjen e masave ajrore të paqëndrueshme nga veriperëndimi i Europës, dhe do të përfshijë të gjithë vendin me reshje shiu”, thotë Xhakollari.

Ndryshimet e klimës kanë nisur të shfaqen dukshëm përmes këtyre episodeve të shkurtra dhe aspak të zakonta, të cilat shkaktojnë përmbytje por edhe thatësira të zgjatura.

Top Channel