Tensionet Iran-Arabi Saudite, rritet menjëherë çmimi i naftës

04/01/2016 00:00

Tensionet e përshkallëzuara mes Iranit dhe Arabisë Saudite, dy prodhues të mëdhenj të naftës në botë, janë bërë shkak për luhatjen e çmimit të arit të zi.

Në shkëmbimet e para të ditës, çmimi i naftës bruto u rrit me 3% sipas CNN-it, por pas kësaj u tërhoq duke qëndruar në rreth 37 dollarë për fuçi.

Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme kanë qenë gjithmonë arsye për lëvizjen e çmimit të naftës nëpër botë, pasi mbjellin shqetësim mbi mbarëvatjen e furnizimit.

Në këtë rast megjithatë, sipas ekspertëve, dy anëtarët themelues të OPEK-ut do të vazhdojnë, sikur edhe për inat të njëri-tjetrit, të mbajnë të njëjtin ritëm prodhimi, duke kontribuuar kështu në ngopjen e tregjeve globale, çfarë e ka mbajtur prej muajsh të tërë kuotimin e naftës në nivele mjaft të ulëta.

Në 2015-n, çmimi i naftës ra me 35% në një prag, i cili nuk ishte parë që prej krizës financiare globale. OPEK-u, lojtari më i madh në tregun e naftës në botë, vazhdon të ndjekë linjën e vet, duke refuzuar të ulë prodhimin, si mënyrë për rritjen e çmimit.

Me këtë lëvizje, karteli i kryesuar nga sauditët po përpiqet t’u presë hovin prodhuesve me kosto më të lartë në Shtetet e Bashkuara e gjetkë.

Prodhimi i naftës iraniane, nga ana tjetër, është frenuar prej një kohe mjaft të gjatë nga sanksionet ndërkombëtare, por tani me ndryshimin e situatës, Republika Islamike është e etur të hidhet në veprim, e planifikon që në 2016-n ta shtojë prodhimin e saj të arit të zi në gati 1.5 milionë fuçi në ditë.

Top Channel