Kontrollet kufitare në BE, pas Suedisë edhe Danimarka me masa shtrënguese

04/01/2016 00:00

Qeveria daneze reagoi shumë shpejt, pas vendimit të Suedisë për të kontrolluar pasaportat në kufi, duke paralajmëruar edhe ajo verifikime në kufirin që e ndan me Gjermaninë.

“Ne nuk duam më të shohim përsëri refugjatë dhe emigrantë në autostradat tona. Ne duam qetësi dhe rend”, tha kreu i ekzekutivit danez, Lars Lokke Rasmussen, në fjalimin e tij të Vitit të Ri.

Sfondi i fjalëve të tij, – sipas mediave gjermane, – ishte paralajmërimi për kontrollet e pasaportave në kufirin danezo-suedez, që nisin nga sot. Të tilla lëvizje dëshmojnë qarte se, klima për emigrantët në Europë po ashpërsohet.

Për herë të parë që prej vitit 1950, të gjitha kompanitë që transportojnë pasagjerë nga Danimarka për në Suedi duhet të kontrollojnë tani, me urdhër të qeverisë, pasagjerët në trena, autobusë dhe anije.

Sipas kryeministrit danez, kjo mund të sjellë si pasojë vendosjen e kontrolleve kufitare edhe me Gjermaninë. Për shtypin europian, kërcënimi i lëshuar në ndërrimin e viteve përshtatet me vijën e ashpër të qeverisë daneze.

Duke përmendur ngërçin, që po i krijon kontinentit të vjetër vërshimi i emigrantëve, Rasmussen u shpreh për rishikimin e Konventës së OKB-së për Refugjatët.

“Nëse numri i tyre vazhdon të shtohet në të njëjtën masë si deri më tani, atëherë do të vijë momenti kur do të na duhet të diskutojmë mbi një përshtatje të rregullave të lojës”, tha shefi i qeverisë daneze për televizionin “TV2”.

Partia konservatore në pushtet e Rasmussenit, “Venstre” ka nevojë ndër të tjera edhe për mbështetjen e Partisë Popullore Daneze, “DPP”, e cila është kundër emigrantëve.

Danimarka i ka shtrënguar në mënyrë drastike kohët e fundit rregullat e azilit. Sipas rregullave të reja, refugjatët kanë të drejtë për bashkim familjar vetëm pas 3 vitesh. Përveç kësaj, policia mund t’i kontrollojë azilkërkuesit dhe bagazhet e tyre për parà dhe sende me vlerë, me të cilat ata mund të paguajnë qëndrimin e tyre.

Ndërkohë, edhe Norvegjia duket se po planifikon ashpërsimin e legjislacionit të azilit. Refugjatët që dëshirojnë të hyjnë aty, nga vendi fqinj Suedia apo vendet e tjera të zonës “Schengen”, në të ardhmen do të refuzohen, njoftoi qeveria e qendrës së djathtë në Oslo.

Masa është pjesë e një pakete legjislative, që ka për qëllim të kontribuojë për zvogëlimin e numrit të refugjatëve.

Top Channel