Aleatët e sauditëve tërheqin diplomatët nga Irani

04/01/2016 00:00

Jo vetëm Arabia Saudite, por edhe aleatët e saj në rajon kanë përkeqësuar marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas sulmeve dhe djegies së ambasadës saudite në Teheran, vetëm një ditë pas ekzekutimit të një kleriku të njohur shiit.

Bahreini dhe Sudani kanë ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë tërhequr stafin diplomatik. Këto veprime, vijnë në vazhdën e përkeqësimit të marrëdhënieve të Arabisë gjatë së dielës, kur edhe u dhanë diplomatëve të Iranit dy ditë kohë për t’u larguar nga Rijadi.

Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir tha se, veç diplomacisë duhet të preken edhe lidhjet tregtare me Iranin, ashtu sikurse duhet të ndërpritet edhe trafiku ajror. Por, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, al-Jubeir tha se pelegrinët iranianë që udhëtojnë deri në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës duhen lejuar.

Arabia Saudite dhe Irani janë respektivisht fuqitë më të mëdha sunite dhe shiite në rajon, si dhe mbështesin palë të kundërta në Siri dhe Jemen. Të hënën, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje të dy vendeve të “tregojnë vetëpërmbajtje dhe të mos i shtojnë më tej tensionet, që janë shfaqur haptazi në të gjithë rajonin”.

Bahreini, që qeveriset nga një monarki sunite, por që shumicën e popullsisë e ka shiite, u dha 48 orë kohë diplomatëve iranianë të largohen nga vendi, sikurse Arabia. Ky shtet akuzon Iranin për “ndërhyrje gjithnjë e më të mëdha, flagrante dhe të rrezikshme” në çështjet e brendshme të vendeve të Gjirit Arabik dhe shteteve arabe.

Bahreini, në të cilin është dislokuar edhe Flota e 5-të e Marinës amerikane e ka akuzuar shpesh dhe vazhdimisht Iranin për fabrikim të trazirave në vend që prej vitit 2011, një akuzë që Teherani e mohon.

Ndërkohë, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Sudanit lexohej: “Në përgjigje të sulmeve barbare ndaj Ambasadës së Arabisë Saudite në Teheran dhe konsullatës së saj në Mashhad, Sudani njofton ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit”.

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë tërhequr përfaqësinë diplomatike nga Teherani, por ka shtuar se do të vazhdojë lidhjet tregtare me këtë vend.

Top Channel