Nuk ka hetime të reja për zyrtarë të lartë, ristrukturohet antikorrupsioni

05/01/2016 11:05

Njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda do ti rikthehet strukturës së mëparshme, vetëm tre muaj pasi kryeprokurori Adriatik Llalla, shtoi stafin e prokurorëve për këtë njësi.

“Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka vendosur ristrukturimin e Njësisë Task-Force për Antikorrupsionin në Prokurorinë për Krime të Rënda, për shkak të përfundimit të periudhës së komandimit të katër prokurorëve të atashuar pranë saj në muajin Shtator 2015, si edhe për faktin se ngarkesa e kësaj njësie nuk ka qenë e lartë, pasi nuk ka pasur referime për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë gjatë muajve të fundit nga institucionet e ngarkuara me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori Gentian Osmani do të jetë sërish në krye të njësisë Task- Force pranë krimeve të Rënda, strukturë që e ka drejtuar deri në shtator të 2015. Ndërsa prokurorët që u komanduan pranë kësaj njësie, do të rikthehen në pozicionet e tyre të mëparshme.

Njësisë antikorrupsion do ti bashkohen edhe disa prokurorë, të cilët janë duke zhvilluar hetimet për vepra penale me qëllime terroriste. Kështu, në total kjo njësi do të bëhet nga tetë prokurorë.

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka vendosur edhe lëvizjen e disa prokurorëve në rrethe.

Top Channel