Nuk paguan detyrimet, stadiumi mbetet pa ujë e drita

05/01/2016 11:20

Stadiumi i Rio de Zhaneiros, ku do të zhvillohen garat e atletikës në Lojërat Olimpike të këtij viti, javën e kaluar mbeti pa ujë e pa drita dhe shkak u bë mospagesa e detyrimeve financiare nga administratorët e saj.

Sipas asaj që publikon “Globo” në versionin “online”, stadiumi Joao Havelange, i njohur ndryshe në Rio si Engenhao, i detyrohet shtetit 225 mijë dollarë për furnizimin me energji elektrike dhe ujë.

Impianti prej 45 mijë vendesh u ndërtua për të pritur Lojërat Pan-Amerikane në vitin 2007 dhe është fusha ku luan ndeshjet e saj skuadra e Botafogos, që ka nënshkruar një kontratë 20-vjeçare me drejtuesit e Bashkisë së Rios. Ka qenë pikërisht klubi i futbollit përgjegjësi për të gjitha kostot, por në vitin 2013 Engenhao u detyrua të mbyllej për disa riparime në çatinë e tij që rrezikonte të shembej.

Në vitin 2015 stadiumi u rihap për ndeshjet e Botafogos, ndërkohë që klubi e kaloi administrimin e këtij impianti tek qeveria për punimet në prag të Lojërave Olimpike. Sipas drejtuesve të Botafogos, shifra prej 225 mijë dollarësh që është në faturën e energjisë eklektrike dhe të ujit duhet të paguhet pikërisht nga administrata shtetërore, pasi klubi gjatë periudhës që u bënë riparimet në të nuk kishte marrë shpërblimin që i takonte.

Top Channel