Elbasan, reshjet shkaktojnë përmbytje

05/01/2016 13:10

Moti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin ka shkaktuar probleme edhe në qarkun e Elbasanit. Më problematike situata është paraqitur në Njësinë Administrative Labinot Fushë, ku si pasojë e daljes së një përroi janë përmbytur tokat bujqësore dhe është rrezikuar një shtëpi.

Dalja e përroit ka mbytur bagëtitë dhe pulat, por fatmirësisht pa probleme të konsiderueshme për banorët.
 
Përveç përkeqësimit të motit, banorët thonë se problemi më i madh janë vetë ata, pasi të gjitha mbetjet urbane i depozitojnë në këtë kanal.
 
Gjatë natës gjithashtu ka pasur vështirësi në qarkullim në aksin Elbasan-Librazhd, pranë kthesave të Murrashit, ku rënia e gurëve vazhdon të jetë një rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve.

Ndërsa i bllokuar është aksi Gramsh-Sultë, ku për shkak të daljes së përroit kalimi është i pamundur.

Top Channel