Dëmtimet në rrjetin energjetik, OSHEE: Avari nga moti i keq

05/01/2016 00:00

Moti i keq ka shkaktuar avari të shumta natën e së hënës në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike. Mëngjesin e së martës, rreth 47 mijë abonentë, kryesisht në zonat rurale të vendit, janë gdhirë pa energji, për shkak se reshjet e shiut dhe borës kanë dëmtuar shtyllat dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

OSHEE ka thënë se po merr masa për përmirësimin e situatës me rreth 1.800 punonjës në terren, ndërsa numri i defekteve ka ardhur duke u reduktuar në mënyrë të vazhdueshme, duke rikthyer energjinë për shumë zona.

“Komuna e Tropojës, Margegaj, Bujan, Bytyç, Llukaj; Kukësi me komunën Tërthorë, Topojan, Shishtavec, Bicaj, Ujanisht; Në Pukë është komuna Qelëz, zona e Arrëzit. Në Elbasan është pothuajse e papërfillshme. Korça ka Voskopojën. Librazhdi ka komunën e Polisit”, tha Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes së OSHEE-së.

Drejtori i Divizionit të Shpërndarjes pranë OSHEE-së thotë se, për të gjurmuar më shpejt avaritë, në dispozicion të qytetarëve është vënë një numër telefoni, që shpërndan më pas informacionin në qendrat përkatëse të operatorit.

“OSHEE ka organizuar një diagram komunikimi përmes zyrës ‘Call Center’ me agjencitë përkatëse, në mënyrë që informacioni dhe problematika të rrjedhin sa më shpejt dhe të gjejnë zgjidhje sa më të shpejtë”, tha Petraq Lika.

OSHEE bën të ditur se, ky numër – 042274141 – është në dispozicion të abonentëve 24 orë në ditë.

Top Channel