Durrës, emigrantët dynden për pasaportat

05/01/2016 00:00

Dita e parë zyrtare e punës i ka gjetur shumë durrsakë në radhët e gjata të sporteleve për marrjen e shërbimeve të ndryshme. Të parët kanë qenë emigrantët që kanë nxituar të riaplikojnë për pajisjen me pasaporta biometrike, veçanërisht për fëmijët.

Operatorja e shërbimit civil pranë policisë së Durrësit pranon problematikën me pasaportat 10-vjeçare të fëmijëve të lëshuara në vitet 2009-2010 dhe thotë se po punohet me procedurë të përshpejtuar për verifikimin e dokumentacionit për të t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, kryesisht emigrantë.

“Dy javët e fundit të dhjetorit, siç po e shihni dhe dita sot kanë pasur njëfluks, në mënyrë relative kanë qënë të shtuara aplikimet për pasaporta. Realisht janë parë me përparësi, jemi munduar që mos ta vonojmë këtë lloj procesi në mënyrë që ata të mbarojnë pjesën e verifikimit”, thotë Anisa Hysesani, operatore e shërbimit civil.

Radhë të gjata janë shënuar edhe në zyrën e lëshimit të Kartave të Shëndetit në Durrës, ku është e dukshme nevoja për më shumë sportele.

Edhe në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka dyndje qytetarësh. Janë të shumtë ata që nxitojnë të postojnë kuponat e mbledhur tatimorë e të kapin afatin për t’u bërë pjesë e Lojës Promocionale të Ministrisë së Financave.

Top Channel