Kosovë, dështon aktakuza ndaj kompanisë së lojërave të fatit

05/01/2016 00:00

Gjykata Themelore në Prishtinë pushoi procedurën penale për njër ndër rastet më të mëdha gjyqësore, që kishte të bënte me krimin e organizuar dhe vepra të tjera penale.

Bëhet fjalë për hedhjen poshtë të aktakuzës, për hetimet e nisura vite më parë ndaj 11 personave, të cilët merreshin me lojëra fati të kompanisë “APEX”. Arsyetimi për hedhjen poshtë të kësaj aktakuze ka të bëjë me faktin se, ajo është paraqitur pasi ka kaluar afati ligjor.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se, pas interpretimit të saktë të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedures Penale, kryetarja ndërkombëtare e trupit gjykues ka ardhur në përfundimin se, ligji nuk ka lënë tjetër zgjidhje, sepse aktakuza është paraqitur pasi ka kaluar afati ligjor.

Gjykata, në njoftimin e saj thekson se, “kjo mund të shihet e padëshirueshme, pasi veprat si korrupsioni dhe krimi i organizuar që dëmtojnë shoqërinë e Kosovës kalojnë pa u ndëshkuar, për shkak të një tejkalimi të vogël të një afati, por – siç thuhet në njoftim, – do të ishte e padëshirueshme gjithashtu edhe nëse në Kosovë do të përhapej praktika në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe sigurinë ligjore”.

Aksioni policor kundër pronarëve të lojërave të fatit “APEX” ishte zhvilluar me bujë të madhe në tetor të vitit 2013. Dhjetëra policë ndërkombëtarë, të armatosur rëndë dhe të maskuar, kishin bastisur objektin e lojërave “Apex” në qendër të Prishtinës.

Përveç dy pronarëve të këtij biznesi, 11 persona gjithsej në këtë rast dyshohen për veprën penale të “krimit të organizuar”. Ndërkohë ishte thënë se, gjatë veprimtarisë së tyre, ata u kanë vendosur haraç biznesve të tjera, të cilat kanë ushtruar veprimtari kazinoje në Kosovë.

Ata dyshohen edhe për zotërim të paligjshëm të armëve. Në Ministrinë e Tregtisë, “Apex games” në vitin 2013 mund të gjendej me emrin “Apex Game Kosova”, si biznes me përgjegjësi të kufizuara.

Zyrtarisht, pronar figuronte Arben Krasniqi, nga Peja, i dyshuari kryesor i rastit. Siç thuhej në faqen e internetit të Ministrisë së Tregtisë, veprimtaria parësore e këtij biznesi është e ngjajshme me një restaurant, furnizim me ushqim dhe aktivitete të tjera argëtuese, siç klasifiohej të vënit bast.

Sot, nga një kërkim i thjeshtë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, këto të dhëna nuk mund të gjenden. Nën të njëjtin emër, pra “APEX”, funksionon një tjetër biznes me tjetër emër pronari, por që si veprimtari parësore shkruan se kanë aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve.

Top Channel