Kosova, tashmë me prokurim publik online

05/01/2016 00:00

Institucionet e Kosovës kanë nisur shpenzimin e buxhetit të vitit 2016 me ligjin e ri të prokurimit.

Të gjithë tenderat publikë, nga kjo e martë do të jenë transparente në platformën online të Prokurimit. Në këtë formë synohet nxitja e sa më shumë kompanive vendase dhe të huaja, që të aplikojnë për të fituar tendera publikë.

Sistemi i ri, sipas parashikimeve të Qeverisë pritet të kursejë rreth 20 për qind të buxhetit, përmes rritjes së konkurrencës.

Për të parë nga afër nisjen e zbatimit të prokurimit elektronik, kryeministri Isa Mustafa, ambasadori amerikan dhe përfaqësues të zyrës së Bashkimit Europian, vizituan zyrat e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

“Qëllimi ynë themelor është që, përmes prokurimit elektronik ne ta shtojmë transparencën dhe konkurrencën në procesin e prokurimit, të ndikojmë në uljen e çmimeve dhe të ndikojmë gjithashtu në kursimin e parave publike dhe në cilësinë më të mirë të projekteve, të cilat ne i financojmë me këto parà. Evidencat tregojnë se, përmes prokurimit elektronik ne do ta rrisim efiçencën e shfrytëzimit dhe kursimit të parave publike nga 5 deri në 10 për qind, një sasi shumë e madhe që nuk u takon vetëm mjeteve buxhetore, por edhe atyre të kompanive publike. Te kompanitë publike, informacionet që kam marrë nga kryetari janë se, ky kursim mund të jetë edhe më i madh se 10 për qind”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha tha se, pas 6 muajve të zbatimit të projektit pilot të prokurimit elektronik, ai do të nisë të zbatohet edhe nëpër komunat e Kosovës.

“Përdorimi i platformës elektronike do të mundësojë evitimin e mundësive për keqpërdorim të proceseve të prokurimit për qëllime korruptive. Platforma pamundëson ndërhyrjen nga jashtë në procesin e tenderimit dhe ndikimin tek ofertuesit”, tha Safet Hoxha, kryetar i KRPP-së Kosovë.

Fillimi i zbatimit të ligjit të prokurimit elektronik i është rekomanduar vite më parë Kosovës, pasi në vazhdimësi ka pasur dyshime të keqpërdorimeve të mëdha të buxhetit të shtetit, përmes tenderave publikë.

Top Channel