Analistët: Sauditët ndezën zjarrin për të larguar vëmendjen nga kriza e naftës

05/01/2016 00:00

Vendimi i Arabisë Saudite për të kryer 47 ekzekutime njëherazi, përfshirë atë të një kleriku mjaft të njohur shiit, çfarë dihej fare mirë se do të shkaktonte reagim, ishte i papritur, trazues për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, por edhe për Shtetet e Bashkuara, një shkëndijë që nxit tensionet pikërisht në kohën, kur ato lipset aq shumë që të ulen.

Megjithatë që nga ai moment, sipas ekspertëve, Rijadi e menaxhoi me mjaft shkathtësi situatën. Pas mësymjes së misioneve diplomatike të tij në Teheran dhe Mashhad, vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin; ndërpreu çdo linjë tregtare e të trafikut ajror, qytetarëve sauditë iu ndalua udhëtimi drejt Republikës Islamike.

Aleatët nxituan ta përkrahin; Bahreini, Sudani, Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën të reduktojnë trupat diplomatikë në Iran, ndërsa Kuvajti tërhoqi ambasadorin e tij. Edhe vet deklarata e Këshillit të Sigurimit, ku dënohej mësymja e Ambasadës saudite, por lihej në harresë shkaku i saj, vrasja e kreut të zëshëm fetar të komunitetit të margjinalizuar shiit të Mbretërisë së Gjirit Arab, njëkohësisht kritik i ashpër i monarkisë sunite, tingëlloi e njëanshme.

Mbështetësit thonë se sheiku, që nuk i ka mohuar kurrë akuzat politike kundër tij, bënte thirrje për tubime paqësore e i shmangej dhunës antiqeveritare. Atëherë, a ishte ekzekutimi i tij një provokim nga ana e Rijadit? Dhe në qoftë kështu, përse duhet ta bënte Arabia Saudite një gjë të tillë?

Njohës të çështjeve rajonale mendojnë se ka një shpjegim. Nëse problemet në vend kërcënojnë të kthehen në krizë, atëherë gjej një armik, thonë ata. Dhe problemet, me të cilat përballen sauditët për shkak të uljes së çmimit të naftës, janë gjigante.

Më shumë se 80 për qind të të ardhurave shtetërore të Arabisë Saudite, të qeverisur në mënyrë despotike, vijnë nga nafta. Por meqenëse çmimi i naftës është ulur prej gushtit 2014, më shumë se 60 për qind, buxheti shtetëror i Mbretërisë kaloi në një minus të thellë.

Vetëm subvencionimi i çmimeve energjetike konsumon çdo vit gati 1/8-n e Prodhimit të Brendshëm Bruto, e për këtë arsye, FMN-ja i kërkon asaj një ulje të subvencioneve. Në fakt, qeveria e Rijadit vendosi shkurtimet e para, pak ditë para ekzekutimeve masive në fillim të këtij viti.

Për të balancuar buxhetin e saj, Arabisë Saudite i nevojitet – sipas Fondit Monetar – një çmim i naftës prej të paktën 82 dollarë për fuçi, kur në fakt ai vërtitet aktualisht te 40 dollarët. Kundërshtari i madh i Rijadit është Irani, me të cilin ai po ndjek një konflikt të përgjakshëm për sundim në rajon.

Rijadi refuzon t’i ulë kuotat e nxjerrjes së naftës, me gjithë çmimet e ulëta dhe kërkesat e OPEC-ut, e nisur nga kjo situatë, ekspertët thonë se konflikti rajonal midis sauditëve dhe iranianëve kërcënon ta destabilizojë të gjithë kartelin e fuqishëm, që është lojtari kryesor në tregun global të naftës.

Top Channel