Kosovë, shqetësues fenomeni i djegies së makinave zyrtare

05/01/2016 00:00

Fenomeni i djegies së makinave zyrtare në Kosovë vijon edhe këtë fillimviti. Rasti i fundit ka ndodhur në qytetin e Ferizajt, të hënën pas orës 23:00, ku në rrethana të panjohura i është vënë zjarri një makine të tipit “Toyota”, pronë e Administratës Tatimore të Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se, në vendin e ngjarjes është gjetur një dorezë gome, ndërsa të gjitha xhamat e makinës ishin thyer. Ende nuk ka të dyshuar lidhur me këtë rast.

Së bashku me këtë rast, numri i makinave zyrtare të djegura gjatë muajve të fundit shkon në mbi 10, ndërkohë që ende nuk dihen autorët dhe arsyet.

Zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Baki Kelani tha për Top Channel se, organet kompetente janë duke vazhduar hetimet për secilin rast veç e veç, në rajone të ndryshme ku kanë ndodhur incidentet.

Deri më tani është vetëm një person i identifikuar dhe i arrestuar nga Policia e Kosovës, lidhur me djegien e një makine zyrtare të Gjykatës për Kundërvajtje në Pejë, në datën 12 dhjetor. B. Z., shtetas i Kosovës, u arrestua më 14 dhjetor dhe i është dhënë masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Makinat zyrtare të djegura deri më tani janë prona të Policisë së Kosovës, komunave, ministrive të ndryshme, prokurorive, gjykatave dhe institucioneve të tjera.

Top Channel