Loti i parë i Unazës së Re përfundon para afatit

05/01/2016 18:20

Bashkia e Tiranës kërkoi shtimin e fondeve për përfundimin sa më shpejt të lotit të parë të Unazës së Re të kryeqytetit, që zgjidh një nga nyjet kryesore të trafikut.

Gjatë inspektimit të punimeve në këtë rrugë, kreu i bashkisë, Erion Veliaj dhe ministri i Transportit, Haxhinasto thanë se kompania mund të përfundojë lotin e parë më shpejt nga afatet e parashikuara, që janë fundi i vitit.
 
“Unë do t’i bashkohem ministrit për të lobuar në qeverinë shqiptare për të shtuar financimin për këto tre lote, por sidomos për këtë lot. Edhe pse parashikimi është që në fund të vitit ta kemi këtë vepër të dorëzuar, garancia që morëm sot nga firma është që ata do e përfundojnë ndoshta edhe tre muaj para afatit dhe nëse do ecim pak më shpejt me financimin, ndoshta edhe në verë”, tha Veliaj.

“Do të dëshironim të ecnim edhe më shpejt, por ka pengesa konstruktive siç janë shpronësimet që shpresoj t’i rregullojmë me ligj”, deklaroi ministri Haxhinasto.
Nga ky projekt përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 100 mijë banorë, sidomos ata në zonën e “Komunës së Parisit”, njësisë 5, 7 dhe zonës së Yzberishit.

Top Channel