SHBA, Obama vë në zbatim planin për kontrollin mbi armët

05/01/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama zbuloi këtë të martë një grup masash për forcimin e kontrollit dhe dhënien e armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara, duke përdorur kështu fuqitë e tij ekzekutive presidenciale, në mungesë të miratimit të ndryshimeve ligjore të kërkuara prej tij nga Kongresi amerikan.

Obama ka akuzuar lobistët proarmëve të kenë marrë peng Kongresin, por tha se “ata nuk mund të marrin peng Amerikën”. Presidenti amerikan këmbënguli se gjithnjë ka qenë e mundshme të mbështetej “amendamenti i dytë”, në mënyrë që të tregohej se po bëhej diçka për të frenuar frekuencën në rritje të të shtënave masive me armë në SHBA, gjë që sipas tij është kthyer tashmë në një “normalitet të ri”.

“Ky nuk është një komplot për t’u hequr armët kujtdo”, tha Obama në një ceremoni të mbajtur në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë. “Nëse ju kaloni kontrollet bazë mbi formimin kulturor, atëherë ju mund të blini një armë zjarri. Problemi është se, disa shitës armësh kanë operuar deri më tani nën një set të ndryshëm rregullash”.

Obama u shfaq tepër emocional teksa iu mbushën edhe sytë me lotë, kur kujtoi 20 nxënësit e vrarë në vitin 2012 në shkollën fillore të “Sandy Hook”. Ai u bëri nderimet prindërve të tyre, disa prej të cilëve ishin mbledhur në ceremoni, të cilët – sipas presidentit, – nuk mund ta mendonin kurrë se jeta e fëmijëve të tyre do të shuhej aq shpejt prej plumbave.

“Sa herë mendoj për ata fëmijë, më duket sikur çmendem”, tha Obama.

Në qendër të planit të Presidentit amerikan është përkufizimi më i gjerë i shitësve të armëve, gjë që administrata federale shpreson se do të zgjerojë numrin e shitjeve, pasi të kenë kaluar kontrollet mbi formimin kulturor. Bazuar mbi ligjin aktual, vetëm shitësit e licencuar nga autoritetet federale mund të kryenin kontrolle mbi formimin e blerësve. Por, në rastet e shfaqjeve dhe ekspozitave për armët, faqet e internetit dhe tregjet e vjetërsirave, shitësit zakonisht i anashkalojnë këto kërkesa, duke refuzuar të regjistrohen si shitës të licencuar.

Me synimin për të ngrushtuar këtë shteg, Byroja kundër Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, pjesë e Departamentit të Drejtësisë, ka lëshuar një udhërrëfyes të ri dhe të përditësuar, i cili tregon se qeveria duhet t’i konsiderojë të gjithë ata “që marrin pjesë në biznesin” e shitjes së armëve si shitësa, pavarësisht se ku i sheshin armët. Për këtë arsye, qeveria do të konsiderojë edhe faktorë të tjerë, përfshi këtu sa armë shet një shitës, sa shpesh dhe nëse këto armë janë shitur me qëllim përfitimi.

Shtëpia e Bardhë do t’u bëjë me dije gjithashtu shitësve se, administrata ka planifikuar të përforcojë edhe ekzekutimin e këtij ligji, përfshi këtu duke dërguar 230 ekzaminues të rinj që FBI-ja do të punësojë për procesin e kontrollit të formimit kulturor.

Duke risjellë në vëmendje fjalët e Martin Luther King Jr., Obama tha se “ne duhet ta ndiejmë këtë urgjencë të ashpër, tani!”.

Paketa e veprimeve ekzekutive të Obamës synon të kufizojë atë, që ai e përshkruan si “kamzhik të dhunës me armë” në SHBA, të theksuar më së shumti nga vrasjet masive në Newtown, Connecticut; Charleston, Karolina e Jugut; Tucson, Arizona; mes shumë rasteve të tjera. Pas Newtownit, Obama kërkoi menjëherë miratimin me konsensus dypalësh të legjislacionit të ri, por nisma ngeci që në Senat.

Top Channel