Operacioni special në Afganistan, vritet një ushtar

05/01/2016 00:00

Një ushtar amerikan u vra dhe dy të tjerë u plagosën gjatë një misioni të forcave speciale në provicën Helmand në Afganistan. Ushtarët amerikanë po merrnin pjesë në një operacion antiterror kur ndaj tyre hapën zjarr forca armike.

Një helikopter mjekësor që u dërgua për të shpëtuar viktimat u detyrua që të ulet për shkak të ashpërsisë së betejës dhe ende nuk është kthyer në bazë. Detajet e asaj që ndodhi në afërsi të qytetit Marxhah janë ende të paqarta.

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, brigadier gjeneral Uillson Shofener tha se një prej anëtarëve të ekipit të forcave speciale humbi jetën në betejë, por nuk foli më gjatë për operacionin.

Identiteti i viktimave nuk është zbuluar dhe nuk ka detaje për specifikat e operacionit apo të ekipeve të angazhuara në të. Një zyrtar nga Pentagoni tha se helikopteri mjekësor kishte pësuar dëme nga zjarri armik dhe se po punohet që të kthehet në bazë.

Rreth 12 mijë trupa ndërkombëtare janë ende në Afganistan për të ndihmuar forcat lokale kundër talebanëve. Disa nga këto trupa janë dërguar që të luftojnë kundër talebanëve që kanë nisur një revoltë së fundmi në Helmand.

Top Channel