Deputetët kosovarë, shpenzime të konsiderueshme në 2015

05/01/2016 00:00

As tymi e gazi lotsjellës nuk i pengoi deputetët e Kuvendit të Kosovës të përfitojnë nga privilegjet që i gëzojnë si përfaqësues të popullit. Për nëntë muajt e vitit të kaluar, deputetët kanë shpenzuar 62 mijë e 239 euro nga dietat e udhëtimeve të jashtme.

Për akomodim të udhëtimeve zyrtare kanë shpenzuar 33 mijë e 418 euro. Ndërsa, për dreka zyrtare kanë shpenzuar 55 mijë e 481 euro. Sipas raportit del se disa nga deputetët e Kuvendit kishin frekuentuar restorantet dhe hotelet luksoze të njohura në vend.

Nuk duket se janë kursyer edhe për sa i takon bisedave telefonike, ata për 9 muaj të vitit 2015, kanë shpenzuar mbi 39 mijë euro telefon. Kurse, për bileta të udhëtimit jashtë kanë shpenzuar 41 mijë e 837 euro.

Mbi 4 mijë e 530 euro përfituan nga avancat. Përfitues të këtyre privilegjeve që janë të permendura në raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, duket se kanë qenë të gjithë deputetët, përfshirë pozitën, opozitën dhe minoritetet.

Top Channel