Tregtia Kosovë-Shqipëri, në 2015-n u rrit me 20 milionë euro

05/01/2016 00:00

Përkundër disa barrierave, shkëmbimi i mallrave mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë vitit që lamë pas ka pasur rritje për 20 milionë euro të eksporteve dhe importeve, kundrejt vitit 2014.

Mirëpo, përkundër kësaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, nuk është i kënaqur pasi ekzistojnë ende barriera për të cilat beson që do të zvogëlohen në të ardhmen.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “KosovaPress”, Minxhozi ka thënë se pret që nismat ligjore të marra nga të dy Parlamentet të mundësojnë shfrytëzimin e mundësive që kanë të dyja vendet.

“Po ndërmerren dhe nisma ligjore nga Parlamentet e dy vendeve për të parë mundësinë që këto barriera jo vetëm thjeshtë në fushën doganore, por edhe në fushën e njohjes për certifikimin e produkteve duhet të bëhet më tepër. Gjithsesi, unë mendoj që viti 2016 do të ketë një start më të fuqishëm për të rritur një shkallë më të madhe të bashkëpunimit dy palësh Shqipëri-Kosovë”, tha Minxhozi.

Një arritje shumë e madhe, sipas ambasadorit Minxhozi, gjatë vitit 2015 ishte edhe përfundimi i projektit energjetik mes dy vendeve, i cili pritet të përfundojë në prill të vitit 2016.

Ai po ashtu tha se gjatë vitit të fundit ka pasur rritje të turizmit mes dy vendeve. Minxhozi shpreson që gjatë vitit 2016 do të thellohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri. Gjatë 2015-s kishte eksporte afër 60 milionë euro, ndërsa importe nga Shqipëria afër 200 milionë euro.

Top Channel