Allegri: Ja si fitojmë titullin

05/01/2016 00:00

Massimiliano Allegri e di çfarë duhet për të kurorëzuar Juven kampion. Trajneri i “zonjës” ka thënë se skuadra e tij duhet të grumbullojë 82 pikë, që sipas tij, mjaftojnë për t’u shpallur për herë të pestë radhazi kampion.

Bardhezinjtë kanë rikuperuar terren në muajt e fundit, duke hyrë sërish në garë për titull pas një fillimi aspak të mirë të kampionatit. Pikërisht këtu ndalet edhe Allegri që kërkon përqendrim maksimal për sfidën ndaj Veronas në mënyrë që të mos lëshojnë më pikë.

“Besoj se do të duhen 82 pikë për të fituar titullin, por gjithçka do të vendoset në 6 ndeshjet e fundit. Nuk duhet të shikojmë kundërshtarët, por vetëm veten tonë sepse kemi punuar shumë për të rikuperuar terren. Kemi paguar shtrenjtë gabimet e bëra kundër skuadrave të vogla, prandaj nuk duhet të tregojmë sërish shpërqëndrim. Ndaj Veronas nuk duhet t’i lejojmë sulmuesit kundërshtarë të na krijojnë probleme”, u shpreh Allegri.

Sa i përket merkatos së janarit, Allegri ka thënë se ka në dispozicion një grup të mirë lojtarësh që mund t’i sjellin trofe Juves, pavarësisht se mediat shkruajne për një interesim të vazhdueshëm për një “numër 10” me Oscar e Isco me të preferuarit.

Ndërkohë, Allegri ka hedhur poshtë raportimet e mediave se Zaza mund të largohet këtë muaj, me Arsenal e Crystal Palace të gatshëm të paguajnë deri në 20 milionë euro.

Top Channel